Kurti priti në takim Kryetaren e Shoqatës së Kryqit të Kuq, Feride Hyseni

12:39 | 28 Korrik 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Kryetaren e Shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, të shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agron Humolli.

Përgjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e shoqatës së Kryqit të Kuq të Kosovës ndanë ​me kryeministrin Kurti shqetësimet dhe po edhe sfidat me të cilat ballafaqohen përgjatë punës së tyre.

Kësisoj, ata kërkuan edhe mbështetje nga kryeministri në atë drejtim.

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit, thuhet se në kuadër të kësaj teme,  Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim të mëtejmë, si dhe për adresimin e shqetësimeve të tyre.

Gjithashtu, ai tha se barazia e mirëqenia janë synime qëndrore të qeverisjes, duke vënë theksin te reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes si dhe masat në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike dhe pakove tjera në mbështetje të qytetarëve.

Kryqi i Kuq i Kosovës është shoqata më e vjetër humanitare në Republikën e Kosovës, e themeluar në vitin 1945.

Ajo numëron plot 26 degë në Kosovë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme