Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, folën për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

12:22 | 18 Tetor 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

Në komunikatën për media nga zyra e kryeministrit thuhet se, temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë.

“Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes./Arbresh.info/

Të ngjashme