Google ADS

Kurti priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC Abdulhamid Alkhalifa

16:47 | 9 Qershor 2022
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Abdulhamid Alkhalifa.

Në takim u bisedua për reperkusionet ekonomike që po pësojnë vendet dhe popujt si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Kurti theksoi masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë dhe për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve.

“Ndërkohë që po punojmë për reformat strukturale afatgjata, të nevojshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm” shtoi ai.

Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e përgjithshëm të OFID në Kosovë dhe në veçanti për përkrahjen në promovimin e reformave afatgjata dhe financimin e politikave për zhvillim edhe nëpërmjet një marrëveshjeje që u nënshkrua sot me Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës.

Marrëveshja mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.

Marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.

Drejtori Alkhalifa vlerësoi partneritetin me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Transfereve dhe Punës,  Hekuran Murati, shefi i stafit të kryeministrit,  Luan Dalipi, ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OFID,  Fuad Albassam dhe  Fatma Elzahra Elshati, menaxhere e operacioneve të sektorit publik në OFID./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme