Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin jorezident të Japonisë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet aktuale në vend, e veçanërisht edhe marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy shteteve tona.
Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Japonisë si partner strategjik i rëndësishëm i Kosovës, me të cilin këtë muaj shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ai vlerësoi lart ndihmën dhe bashkëpunimin në fusha, që ndërlidhen me shëndetësinë, ambientin, infrastrukturën, rininë e sigurinë. “Me Japoninë jemi partner në pikëpamje dhe vlera”, theksoi kryeministri.
Duke folur për raportet ekonomike dhe tregtare, kryeministri ftoi kompanitë japoneze që të vizitojnë Kosovën dhe të hulumtojnë mundësitë për investime që ofron Kosova, sidomos në sektorin e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturës. Krahas kompanive, kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar që të mirëpresë sa më shumë turistë nga Japonia për të vizituar Kosovën për bukuritë e saj natyrore dhe pasuritë kulturore.
Në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe temave aktuale, kryeministri po ashtu e njoftoi ambasadorin japonez në lidhje me çështjen rreth Rregullores së re të Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, qëllimet e kësaj rregulloreje, pavarësinë e institucionit të Bankës Qendrore dhe fazën tranzitore, që në theks kryesor ka informimin dhe komunikimin me publikun.
Ambasadori Mizuuchi falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen, takimin dhe bashkëpunimin, duke konfirmuar gatishmërinë dhe interesimin për thellimin dhe fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë./Arbresh.info
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?
Kearns, Vuçiqit: Mohimi është vazhdimësi e krimeve, ajo që f...
Leverkuseni i Xhakës synon vetëm fitore ndaj Salzburg
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës
SPAK godet një organizatë kriminale, heton si të përfshirë e...