Google ADS

Kurti priti në takim ambasadorin e Belgjikës, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

17:44 | 18 Tetor 2023
E.K

Në takimin me Ambasadorin e parë rezident të Belgjikës në Kosovë, z. Gregoire Cuvelier, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e uroi për marrjen e detyrës. Ai i uroj suksese në punë dhe angazhime në të mirën e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

U theksua ngritja pozitive në marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, përfshirë vendimin e Belgjikës për të ngritur përfaqësinë diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, si dhe emërimin e ambasadorit të parë rezident, z. Gregoire Cuvelier.

Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe, të përqendruara në rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sigurisë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.

U bisedua lidhur me situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë më datën 24 shtator në Banjskë. Ambasadori shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, si dhe uroi shërim të shpejtë policëve të lënduar. Kryeministri gjithashtu shprehu ngushëllime për jetët e humbura nga sulmi në Bruksel.

Kryeministri falënderoi Ambasadorin Culivier për mbështetjen e Mbretërisë së Belgjikës në rrugën euro-atlantike të Republikës së Kosovës dhe përkrahjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Republika e Kosovës shpreson në mbështetjen e Belgjikës edhe tutje, në proceset integruese euro-atlantike, përmbylljen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kandidaturën për anëtarësim në BE, përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin Partneritet për Paqe të NATO-s si dhe anëtarësimin në NATO.

U theksua fakti që nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, Belgjika do të ketë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Kryeministri veçoi këtë si mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në lidhje me integrimin evropian të Kosovës./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme