Google ADS

Kurti pritet në takim nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, rikonfirmohet mbështetja në procesin e liberalizimit të vizave

22:42 | 4 Maj 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Ministrja e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Duke e falënderuar ministren Baerbock për qasjen parimore dhe qëndrimin e saj aktiv pro-evropian, kryeministri Kurti theksoi lidhjen e fortë dhe të veçantë të Republikës së Kosovës me Republikës Federale të Gjermanisë, njofton zyra e Kryeministrit.

Ministrja vlerësoi mbështetjen e Kosovës dhe pozicionimin me Bashkimin Evropian, duke vendosur sanksione kundër Rusisë dhe gatishmërinë për strehim të refugjatëve nga Ukraina, shkruan arbresh.info.

Në takimin e përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u bisedua për mundësitë në rritje për bashkëpunim dypalësh ndërmjet të dyja vendeve dhe takimeve më të shpeshta ndërmjet ministrave.

Kryeministri Kurti veçoi potencialin për investime në Kosovë dhe mërgatën e madhe të Kosovës në Gjermani. U bisedua për domosdoshmërinë e fazave të reja të bashkëpunimit, me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.

Kryeministri theksoi përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Procesin e Berlinit, rolin konstruktiv të Kosovës në bashkëpunimin rajonal si dhe në procesin e dialogut. Ai i foli për të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë vit qeverisje, veçanërisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Puna në luftimin e korrupsionit në Kosovë është sinjal i mirë dhe shembull për vendet e tjera, tha Ministrja Baerbok.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./arbresh.info/

Të ngjashme