Kurti pret në takim përfaqësues nga organizata CSSP, flasin për komunitetin serb

11:02 | 23 Nëntor 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës së djeshme Christoph Luettmann dhe Simone Ceresa nga organizata CSSP – Berlin Center for Integrative Mediation.

Temë e diskutimit ishin aktivitetet e zhvilluara në kuadër të dialogut të brendshëm dhe hapat e ndërmarrë gjatë këtyre 32 muajve qeverisje, për ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve tanë nga komuniteti serb dhe Qeverisë.

U cilësua i suksesshëm procesi i rifillimit të verifikimit të diplomave dhe krijimi i bazës ligjore për verifikimin e diplomave të shkollave të mesme. Gjithashtu, pozitive kanë qenë dhe takimet që ka mbajtur Kryeministri me shoqërinë civile serbe në Kosovë dhe vizitat e tij në lokalitetet e banuara kryesisht nga komuniteti serb.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka ndarë në muajin shtator të këtij viti një fond prej 3 milionë eurosh për OJQ-të, bizneset e vogla, e fermerët, me disa prej tyre edhe është takuar Kryeministri Kurti gjatë nënshkrimit të kontratave për grantet.Gjatë bisedës, u përmendën dhe emërimet e serbëve në pozita të larta të institucioneve siç është rasti i Srdjan Sentic, i zgjedhur si Zëvendës Avokat i Popullit dhe zgjedhjes brenda bordit të Trepçës të një anëtari nga komuniteti serb, Dragisa Krstovic”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti theksoi që buxheti për vitin 2024 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është rritur për 51%.

Ai u shpreh optimist për zhvillimin e ndërtimin e besimit mes qytetarëve nga komuniteti serb dhe Qeverisë, sepse Qeveria është aty për ta, dhe me gatishmëri të plotë për të vazhduar me aktivitetet e dialogut të brendshëm e për të dëgjuar kërkesat dhe propozimet e të gjithë qytetarëve pa dallim./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme