Google ADS

Kurti pret në takim ministrin gjerman, diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale

15:44 | 17 Tetor 2024
E.K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Günter Sautter, që në takim u shoqërua nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Kryeministri e falënderoi z. Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë e cila ka qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e zhvillimin e vendit tonë.

U bisedua për rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale, dhe vlerësuam si arritje të rëndësishme marrëveshjen e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Deklaratën për Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2025–2028.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike.

Kryeministri e uroi z. Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore./Arbresh.info

Të ngjashme