Google ADS

Kurti pret në takim kryetarin e komunës së Bujanocit

16:44 | 5 Nëntor 2019
L G

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje  Albin Kurti, priti në takim sot Kryetarin e Komunës së Bujanocit,  Shaip Kamberi, të shoqëruar nga Shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në këtë komunë,  Agron Islami.

Sipas njoftimit të VV-së,  Kamberi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe shprehu dëshirën që institucionet shtetërore të formohen sa më parë, në mënyrë që qeveria e re t’ia filloj punës për ndryshimet që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Kurti e falënderoi  të parin e Bujanocit për urimin dhe vizitën.

Ai e njoftoi  Kamberin se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtet ndërtimi demokratik që siguron progres socio-ekonomik për gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim.

“Duke diskutuar për zhvillimet në Luginë e Bujanoc, në këtë takim u theksua nevoja e angazhimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët atje. U fol për nevojën për universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, për fondin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës të miratuar para gati 6 vjetësh, gratë shqiptare që për të lindur shkojnë nga Bujanoci në Vranjë meqenëse materniteti i famshëm në Preshevë është jashtë spitalor etj”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen./arbresh.info

 

Të ngjashme