Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar Raportin për Kosovën për vitin 2022.
Ai në një konferencë për media tha se ky është raporti i parë i cili përfshin periudhën e plotë njëvjeçare të tij në krye të qeverisë.
I pari i qeverisë tha se vitin që shkoi, Kosova ka shënuar progres në shumë fusha, përkundër krizave globale më të cilat është përballur i gjithë kontinenti evropian, që nga pandemia e deri të kriza e energjisë dhe inflacionit.
Sipas Kurtit, raporti që në fillim e përgëzon Kosovën për stabilitetin e qëndrueshëm politik, teksa shtoi se stabiliteti është parakusht për reformat afatgjate.
“Prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së për një kohë të gjatë e të cilat u injoruan nga qeveritë e kaluara si terminalet doganore private nuk janë në harmoni me Marrëveshjen për Stabilizim-asocimit dhe kalimi gradual nga ato private në publike është rekomanduar që nga vitit 2018”, është shprehur Kurti.
Tutje, Kurti listoi edhe të arriturat që sipas tij, qeveria që ai udhëheq ka bërë në këtë periudhë njëvjeçare.
“Vitin e kaluar e hapëm terminalin në Mitrovicë ndërsa këtë vit terminalin në Podujevë e kthyem në shtetëror. Njësoj do të vazhdojmë me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Vërmicë. Rregullorja e Kuvendit të Kosovës u miratua pas 12 viteve, pastaj ligji për financimin e partive politike kishte nisur në vitin 2014 dhe kishte shumë hezitime në të kaluarën e ne e miratuam sivjet. Ligji për ushqimin që rregullon sigurinë, cilësinë dhe kontrollin e ushqimit ishte rekomanduar në vitin 2012. Në vitin 2021 pati dy valë të racionalizimit të agjencive ku e para përfshiu katër agjenci dhe e dyta me dy agjenci”, është shprehur Kurti.
Tutje, sipas Kurtit, gjatë kësaj periudhe është përmbushur kërkesa e Komisioni Evropian që datonte nga vitit 2014 për miratimin e ligjit për rezervat e obligueshme të naftës.
Ai tha se Kosova është duke e zbatuar agjendën e reformave evropiane II si dhe qeveria ka miratuar dhe është duke e zbatuar programin kombëtar për zbatimin e MSA-së 2022-26.
“Te sundimi i ligjit është ndër prioritetet e përbashkëta që i kemi me BE-në. Ne e kemi dorëzuar tashmë në kuvend dosjen e Vetingut që përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Ky proces ka synim që ta bëjë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e krimit dhe vënien e drejtësisë. Gjithashtu kemi miratuar legjislacion kyç në fushën kundër korrupsionit që kanë qenë veprime që i kemi marrë në kuadër të obligimeve nga MSA dhe ERA. Kemi rritur luftën kundër korrupsionit që deri më tani ka rezultuar me më shumë se 780 operacione kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit me më shumë se 2 mijë e 200 persona të arrestuar, prej të cilëve afër 300 zyrtarë shtetëror e 68 grupe kriminale janë shkatërruar. Janë konfiskuar 1.7 ton drogë, janë shkatërruar 5 laboratorë të drogës dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale në veri të vendit”, deklaroi Kurti./arbresh.info/
“Ndaluni të gjithë, Kosova është Kosovë ose Kosova është Shq...
Qeveritë në Paris dhe Berlin mbeten pa para
Anisa Veseli, banorja më e re në BBVK
Komuna e Prishtinës vendos pllakë përkujtimore të dëshmorit ...
Pheniani e mban sekret brenda vendit lajmit se ka dislokuar ...
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj