Kurti pranoi çmim mirënjohës nga gazetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë

19:18 | 30 Gusht 2024
K.B

Gazetarët ukrainas të cilët janë strehuar e jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit Journalists in Residence (JiR), i dorëzuan Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, çmim mirënjohjeje për “Kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas gjatë luftës, mbështetjen për programin ndërkombëtar JiR në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave në Ukrainë dhe Kosovë”. Kryeministri e pranoi këtë çmim nga Sergiy Tomilenko, president i Unionit të Gazetarëve të Ukrainës.

Zyra e Kryeministrit njofton se  Kurti i falënderoi për këtë vlerësim, duke shtuar se për ne ka qenë obligim përkrahja e luftës së drejtë çlirimtare e për liri dhe demokraci e Ukrainës.

“Më tej ai shtoi se në mbledhjen e 216-të të Qeverisë, dy javë më parë, në përputhje me kërkesën e Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave (ECPMF), kemi aprovuar kërkesën që edhe tre gazetarë të tjerë të vijnë në vendin tonë përmes programit JiR, e të cilët mezi presim të mbërrijnë në Kosovë”, njofton ZKM-ja.

Kurti shprehu mirënjohjen për përpjekjet, punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme