Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada gjermane në shënimin e Ditës së bashkimit të Gjermanisë.
Në fjalën e tij, kryeministrit Kurti tha se me bashkimin e Gjermanisë përfundoj rreziku për Evropën dhe paqen e saj, duke hapur kështu rrugë drejtë lirisë dhe demokracisë, shkruan arbresh.info.
Tutje Kurti shtoi se kjo ditë duhet të festohet me gëzim dhe sipas tij Kosova dhe populli i Kosovës janë të gëzuar që e njohin një Gjermani të bashkuar dhe demokratike.
“Pikërisht ata që nuk dëshironin që të binte muri në Berlin, tashmë po bëjnë një luftë kriminale kundër Ukrainës. Ata humbën atëherë dhe, tri dekada më vonë, do të humbasin përsëri”, ka thënë në fund Kurti.
Më poshtë mund ta gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit, Albin Kurti:
E nderuar znj. Presidente Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar Ambasador Rohde,
Të nderuar Deputetë dhe Ministra të Qeverisë,
I nderuar Kori Diplomatik,
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi të jem sonte këtu me ju dhe t’ju përgëzoj për Ditën e bashkimit të Gjermanisë.
3 tetor 1989 ishte një përfundim dhe një fillim.
Ishte përfundimi i 45 vjetëve të ndarjes. Pra, këtë ditë e festojmë, jo vetëm se i bashkoi ato që duhej të ishin bashkë, por edhe se e shënoi përfundimin e rrezikut real për Evropën dhe paqen e saj.
Nga ana tjetër, ishte një fillim, jo vetëm se dy Gjermanitë e bashkuara do të nisnin të ardhmen e tyre të përbashkët, por edhe se mundëm ta ndienim që perdja e hekurt po copëtohej, duke ia hapur rrugën lirisë dhe demokracisë.
Çdokush që është marrë me historinë e atij ribashkimi, e di shumë mirë se ai veç i lehtë nuk ishte, se nuk ishte as i dëshiruar nga të gjithë akterët, lëre më i mbështetur në mënyrë aktive.
Shumë politikanë gjermanë e konsideronin të pamundur, edhe pse nuk guxonin ta thoshin shprehimisht. Por, duke kujtuar fjalët e Willy Brandt: Historia nuk njeh fjalën e fundit.
Kjo ditë duhet të kujtohet dhe festohet me gëzim.
Gjermania kaloi një kryengritje paqësore.
Qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane nuk do t’u frikësoheshin më të shtënave vdekjeprurëse te kufiri apo që po spiunoheshin nga shteti i vet.
Kjo kryengritje paqësore ka ardhur jo vetëm se ishte vullnet i popullit, por edhe se NATO dhe komuniteti evropian qëndronin të vendosur, se udhëheqës të mençur dhe largpamës, nga Gorbachev te Reagan, nga Miterrand te Kohl, mundën të lexonin shenjat e kohës së vet.
Nga këto përvoja, mësojmë dhe zhvillohemi.
Prandaj, Kosova dhe populli i vet janë të gëzuar që e njohin një Gjermani të bashkuar demokratike, me popullin e mirë dhe qeverinë e besuar në krah të vet.
Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës, këtë ditë e festojnë me ju.
Të gjithë ne e dimë se miqësia jonë është e veçantë.
Nuk është e bazuar vetëm në interesa strategjike, politike apo ekonomike.
Është shumë më shumë se kaq: Ne ndajmë konceptimin e njëjtë të të drejtave themelore të njeriut dhe të vlerave liberale dhe sociale.
Kemi këtë lidhje që është e fortë, këtë lidhje që, në masë të madhe, bartet nga mërgimtarët tanë që banojnë në Gjermani, të cilët janë po ashtu të angazhuar thellësisht në Kosovë, me zemrat dhe mendjet dhe kursimet e veta.
Nëse e kam zili Gjermaninë për diçka (përveç që na kanë sjellë dijetarët dhe kompozitorët më të famshëm), është se ajo është vendbanimi i gjithë këtyre njerëzve punëtorë. Na keni borxh të madh!
Mirëpo, Gjermania na ka dhënë shumë në dekadat e fundit, për të cilat jemi mirënjohës:
Jemi mirënjohës që na mirëpritët dhe që iu dhatë strehë refugjatëve të Kosovës gjatë dekadës së fundit të shekullit 20,
Jemi mirënjohës që qëndruat të vendosur me NATO-n dhe me popullin tonë për të ndalur gjenocid,
Jemi mirënjohës për më shumë se 1 miliardë EUR në ndihmë zhvillimore
Jemi mirënjohës për mbështetje të vazhdueshme politike në rrafshin ndërkombëtar.
Vielen Dank und Glückwunsch!
Një gjë të fundit: Pikërisht ata që nuk dëshironin që të binte muri në Berlin, tashmë po bëjnë një luftë kriminale kundër Ukrainës. Ata humbën atëherë dhe, tri dekada më vonë, do të humbasin përsëri, thuhet në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit./arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...