Google ADS

Kurti përkujton vrasjen e 150 civilëve në Rahovec: Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt

10:56 | 19 Korrik 2023
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e 150 civilëve në Rahovec më 19 korrik të vitit 1998 nga forcat serbe.

Ai thotë se forcat serbe u munduan ta fshehin krimin, por sipas tij,  nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore, raporton Arbresh.info.

“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, shkruan Kurti në Facebook.

Ai shkruan se për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelohet Instituti i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, po themelojmë Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi. Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit. Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, shkruan i pari i Qeverisë, Albin Kurti./Arbresh.info/

Postimi i plotë

Të ngjashme