Pas homazheve në Kralan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vazhdoi drejt qytetit të Gjakovës, për të bërë homazhe te varrezat e të vrarëve nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës nga forcat e armatosura serbe.
Në shënim të kësaj date të dhimbjes historike për familjarët e familjes Vejsa, kryeministri Kurti, deklaroi se vrasja e fëmijëve, foshnjave, pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit nga ana e Serbisë e cila u përpoq ta shfarosë popullin e Kosovës.
Teksa shprehu mirënjohjen e tij për forcën e familjeve, kryeministri Kurti theksoi se duhet të adresohen me urgjencë krimet e kryera gjatë luftës përderisa dëshmitë dhe dëshmitarët janë të gjallë. Ai tha se plagët po vazhdojnë ende të kullojnë përderisa nuk ka drejtësi.
“Ekzekutorët janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë”, tha kryeministri Kurti.
Më tej, ai theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjet, dhe për të nderuar sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit të Kosovës.
Bashkë me Kryemimistrin Kurti ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal, dhe familjarë të të vrarëve.
Kryeministri Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule edhe te varret e të vrarëve nga familjet Bardoniqi, Dulatahu e Gerqari.
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Unë ju falënderoj nga zemra që po mbaheni kaq të fortë dhe po e inkurajoni gjithë popullin që të qëndroj, por në të njëjtën kohë edhe të dëshmoj, që të flasë, të tregoj, të rrëfej për krimet mizore që janë kryer nga forcat e Serbisë në pranverën e vitit 1999 në kuadër të gjenocidit që kanë ushtruar ndaj popullit shqiptar.
Vrasja e fëmijëve edhe foshnjave, e pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur në shtëpitë e tyre, dhe më pastaj djegia e kufomave është dëshmi e gjenocidit të Serbisë që u përpoq ta shfarosë popullin tonë.
Për këtë rast është dënuar shefi i Sigurisë Publike të Serbisë, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, njëherë me 27 vjet burg, e më pastaj ia kanë zbritur në Tribunal të Hagës në 18 vjet burg, mirëpo ai ka qenë një urdhërdhënës, i cili ka qenë dora e djathtë e Millosheviqit në këtë operacionin “Patkoi”. Mirëpo, ekzekutorët e tjerë janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin, ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë.
Andaj, është jetike që përderisa i kemi dëshmitë dhe dëshmitarët të gjallë, që me urgjencë të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në mënyrë që plagët të mbyllen me drejtësi. Përderisa nuk ka drejtësi edhe plagët vazhdojnë të kullojnë. Nga ne e keni gjithë solidaritetin institucional e njerëzor, e qytetar, e kombëtar dhe juve ju faleminderit. Shprehim mirënjohjen e thellë si dhe përkulemi para sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Të gjithë atyre u qoftë lavdi!/Arbresh.info
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...