Google ADS

Kurti përkujton Masakrën e Rezallës, u bën thirrje ndërkombëtarëve që të lypin drejtësi nga Serbia për viktimat

12:07 | 5 Prill 2024
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën më të pamëshirshme nga ushtria serbe, Masakrën e Rezallës së Skenderajt

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se në fshatin Rezallë të Skenderajt, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë, ndonëse të shtënat kishin zgjatur 30 minuta, pas ekzekutimit mizor e barbar më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

Tutje, kreu i qeverisë tha se e vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive, teksa tha se nuk mund të lejojë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

Postimi i plotë:

Në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta.

Pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë.

Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen.

E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri.

Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri./Arbresh.info

Të ngjashme