Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar aktivistin Hyda Dobrunën.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se Dobruna ishte mes aktivistëve të atij grupi që e vendosën flamurin kombëtar shqiptar për të parën herë në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan Arbresh.info.
“Më 1 maj të vitit 1957, ai ishte mes aktivistëve të atij grupi që e vendosën flamurin kombëtar shqiptar për të parën herë në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore. Hyda Dobruna, së bashku me shokët e tij Muhamet Brovina, Besnik Koci dhe Gjon Shtufi, flamujt e qepur nga Muhamet Brovina, i kishin vendosur nëpër shtylla rruge e trafostacione elektrike në Gjakovë. Ata kishin shpërndarë edhe parulla me mbishkrimet “Poshtë Jugosllavia, rroftë Shqipëria” dhe “Rroftë flamuri kuqezi në zemrat e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.
“Atë kohë, Hyda Dobruna ishte mësimdhënës shkolle në Gjakovë, ku pesë javë më pas, më 8 qershor 1957 e arrestuan dhe e dënuan me pesë vite burgosje për shkak të përdorimit të flamurit kombëtar. Njësoj u arrestuan dhe u dënuan edhe Muhamet Brovina me 12 vite burgim, Besnik Koci me 9 vite, kurse Adem Krasniqi dhe Gjon Shtufi me nga 6 vite burgim. Pesë vitet e dënimit me burg, Hyda Dobruna i kaloi në burgun e Nishin ku punoi punë të rënda në shkritoren e burgut.”, shtoi ai.
“Gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Jugosllavi më 1963, Hyda Dobruna u arrestua sërish dhe u mbajt në burg dhjetë ditë, nga 10 deri më 20 gusht 1963. Dhjetë muaj më pas, më 9 qershor 1964, Hyda Dobruna u arrestua sërish si anëtar i organizatës së Adem Demaçit, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Hyda u dënua me 9 vite burgim, prej të cilave i mbajti katër, sërish në burgun e Nishit.”, u shpreh kryeministri Kurti.
Kurti tha se gjithë kjo veprimtari ishte e natyrshme kur kihet parasysh që Hyda ishte nga një familje patriotike, me gjenerata të tëra të burgosurish politikisht, që nga babai Qazimi te vëllezërit e tij Musa, Skenderi, Sokoli dhe Misimi.
“ Më 1969, Hyda Dobruna u martua me Lemane Brahan, nga familja patriotike Braha, duke bërë një dasëm të madhe në të cilën u ftuan gati të gjithë ish të burgosurit politikë. Kjo solli disa arrestime të reja. Pas demonstratave të vitit 1981, Hyda Dobruna dhe Agim Jaka, Kadri Kusari, Asim Vula, Mehmet Bobi dhe Avni Lama, që të gjithë nga Gjakova, u arrestuan dhe u izoluan në burgje për disa muaj. Aktiviteti i tij politik vazhdoi edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, kur më 11 nëntor 1990, mori pjesë si mysafir nderi në themelimin e organizatës Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar, në Gjakovë.”, tha mes të tjerash Kurti.
“I lindur më 1933, Hyda Dobruna vdiq në moshën 91 vjeçare në vendlindjen e tij në Gjakovë.”, theksoi ai.
Ai u shpreh se ky përkujtim për veprimtarinë patriotike të Hyda Dobrunës, le të shërbej edhe si një telegram publik ngushëllimi për familjen Dobruna, si dhe për shokët bashkëveprimtarët e tij.
“Duke shprehur mirënjohje për kontributin e tij aq të shtrirë ndër dekada për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për lirinë e Kosovës.”, u shpreh ai./Arbresh.info/
Zv.Sekretari Amerikan shkruan për vizitën që do ta zhvillojë...
Aeroplani rrëzohet në det para syve të pushuesve në Australi...
Në kërkim prej dy vitesh për trafik droge, arrestohet 25-vje...
Shkupi sot qyteti më i ndotur në Evropë
Aksion i policisë në veri/ Mbyllet zyra tatimore serbe në Mi...
Arteta fajëson në mënyrë të çuditshme topin për humbjen e Ar...