Kurti përkujton 106 civilët e vrarë në Pastasel: Dëshmitë e kësaj masakre Prokuroria në Kosovë duhet t’i kthej në aktakuza

17:14 | 31 Mars 2024
E.G

“Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tubimin përkujtimor në shënim të 25 vjetorit të kësaj masakre.

“Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kryeministri, duke kujtuar masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe të cilat kryheshin të urdhëruara dhe koordinuara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe ajo e zhvarrosjes së trupave tre javë më vonë më 21 prill, sepse përpjekja e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin e përforcon edhe më shumë lidhjen e krimit me kryerësit e krimit.

“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim”, shtoi ai.

Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kryeministri Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza.

“Për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, sepse e dimë që shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët e saj në gjakun e këtyre martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova”, tha Kryeministri në përmbyllje të fjalës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z.Afrim Krasniqi, Kryetar i fshatit Pastasel,

I nderuari z.Smajl Latifi, Kryetar i Komunës së Rahovecit,

I nderuari baca Tahir, dëshmitar i gjallë i krimeve dhe mizorive të fundshekullit të kaluar,

Të nderuar deputetë, z.Avdullah Hoti, njëherazi ish-kryeministër, znj. Mimoza Kusari – Lila, njëherazi shefe e grupit parlamentar, z.Visar Korenica,

I nderuari z.Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

Të nderuar familjarë të të vrarëve në Pastasel,

Të nderuar banorë të Pastaselit, të fshatrave përreth dhe të Rahovecit në përgjithësi,

Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë. Veçanërisht nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviqit, Serbia i pati intensifikuar dhe brutalizuar të gjitha veprimet e saj operacionale në terren, për ta përshpejtuar gjenocidin ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve, spastrimin etnik që synonte shfarosjen tonë. Gjatë kësaj periudhe, forcat e armatosura ushtarake dhe policore të Serbisë, kanë vrarë mijëra njerëz të pafajshëm e të pambrojtur, teksa torturuan, plaçkitën e dhunuan mijëra njerëz të tjerë, si dhe dogjën e shkatërruan prona dhe pasuri me vlerë të pallogaritshme kudo në Kosovë.

Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë. Andaj sot erdhëm këtu, ashtu siç dje ishim në Abri të Epërme të Drenicës, për të kujtuar masakrën e dytë në atë fshat, ashtu siç këto ditë i kemi kujtuar masakrat në Krushë të Madhe dhe atë në Krushë të Vogël, masakrat në Izbicë, në Podujevë, në lagjen “Dardani” të Pejës, në Klladernicë të Skenderajt, në Suharekë, në Landovicë, në Gjakovë, në Mamushë, në Bellacërkë, në Celinë, në Brestoc dhe në shumë vendbanime të tjera anembanë Kosovës.

Gjeografia e masakrave të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë është shumë e shtrirë anë e kënd vendit, kurse historia e tyre në thelb është pothuajse e njëjtë, sepse qëllimet dhe kryerësit ishin të njëjtët. Kudo që shkojmë për t’i kujtuar masakrat dhe krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, takojmë të mbijetuar dhe flasim me dëshmitarë të cilët tregojnë se si njësitet e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, teksa i dëbonin shqiptarët nga shtëpitë e tyre, krijonin terrenin për të vrarë dhe kryer masakra, për të plaçkitur, torturuar dhe përdhunuar. Përgjithësisht, masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, janë ekzekutuar bashkë edhe me grupe paraushtarake, e nganjëherë edhe me ndihmën e serbëve lokalë të rekrutuar si policë apo të mobilizuar si paramilitarë, por gjithmonë, të gjitha këto operacione kriminale, kryheshin me urdhra dhe të bashkërenduara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë. Pra, krimi vinte nga lart poshtë. Andaj adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Atë çfarë ndodhi në Pastasel më 31 mars 1999, më së miri e dini ju banorët e Pastaselit, të Senocit, të Kaznikut, Palluzhës, Qifllakut, Kramovikut, Gurit të Kuq e të Zatriqit, pra të fshatrave prej nga ishin viktimat të cilat u masakruan. Dhe më së miri e dinë 14 të mbijetuarit e kësaj masakre, të cilët prej atëherë e deri sot kanë rrëfyer përjetimet e asaj dite. Por asnjëherë nuk duhet lejuar të mjaftohemi me këto rrëfime, sepse rrjedha e ngjarjeve në Pastasel duhet rrëfyer e rrëfyer çdo përvjetor dhe sa herë të jetë e nevojshme, ashtu që ajo të përcjellet nga një brez në tjetrin, ashtu që ajo të denoncohet para drejtësisë dhe ashtu që ajo të gjejë vendin e saj në histori.

Dhe jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe ajo e zhvarrosjes së trupave tre javë më vonë, më 21 prill, sepse përpjekja e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin e përforcon edhe më shumë lidhjen e krimit me kryerësit e krimit. Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim.

Unë kur erdha këtu sot, historiani Shkodran Imeraj ma dha një libër në të cilën ishin dëshmitë e dëshmitarëve të gjallë, të mbijetuarve të masakrës së Pastaselit, por gjithashtu edhe nga një biografi e shkurtër e secilit prej atyre që janë vrarë më 31 mars 1999, këtu. Pra, ky libër dëshmon dëshmitë e tyre, por njëkohësisht dëshmon se nuk bëhet fjalë vetëm për një numër 106, po bëhet fjalë për 106 individë, secili me përvojë e të kaluar, secili me familje dhe me ëndrra për të ardhmen që janë këputur përgjysmë në 31 mars, para 25 vjetëve.

Pra, kanë punuar njerëzit tanë, kanë dhënë dëshmi populli ynë, mirëpo ajo çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza. 10 dëshmitarë të Pastaselit kanë dëshmuar, janë intervistuar dhe më pastaj ato janë shndërruar në një raport informues të Policisë së Kosovës që i ka shkuar Prokurorisë. Ne i kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë me krejt çfarë mundemi e dimë që të jemi në shërbim të Prokurorisë, ta ndihmojmë atë. Mirëpo jemi në pritje që ky raport informues me intervistat e 10 dëshmitarëve të Pastaselit më në fund të shndërrohet në akuzë e aktakuzë për kriminelët, ekzekutorë dhe urdhërdhënës nga ana e Prokurorisë së Shtetit. Po i presim, ende po i presim, 25 vjet pas kësaj masakre.

Por nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo vetëm për drejtësi por edhe për progres e keni fjalën tonë, e zotimin tonë.

Lajmi i mirë është që pardje në Prishtinë, u mbajt ankandi me ç’rast u vendos që në Kramovik të Rahovecit të ndërtohet parku solar prej 100 megavateve, që do të ndërtohet nga biznesmen nga diaspora jonë, pra Kosova, Zvicra dhe Gjermania, janë vendet prej nga vjen kjo kompani e cila do të ndërtojë parkun më të madh solar për prodhimin e energjisë elektrike. Dhe jo vetëm për këtë, po për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, sepse e dimë që shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët e saj në gjakun e këtyre martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova.

Andaj, i përhershëm mbetet kujtimi për të vrarët e masakrës së Pastaselit dhe përgjegjësia jonë për drejtësinë e historinë e tyre dhe për progresin dhe zhvillimin e të gjithë juve!/Arbresh.info/

Të ngjashme