Mëngjesin e sotëm, kryeministri i vendit, Albin Kurti, e nisi me homazhe në qytetin e Prizrenit, duke vendosur kurora me lule tek varret e të vrarëve në masakrën e Tusuzit, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti, përcjell Arbresh.info.
Kurti përkujtoi martirët e lagjes së Trimave-Tusuzit, që para 25 vitesh u vranë mizorisht dhe në mënyrë të pamëshirshme. “27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, tha ai.
“Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve që nuk ka kaluar së paku në një luftë. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra. Por, duhet të angazhohemi e të punojmë për shtet, për shtëpinë e përbashkët të popullit e të shoqërisë që ta kemi atë të fortë dhe brezi i pasluftës të jetë brezi i parë i cili nuk do të përjetojë luftë. Për këtë na nevojitet shteti i drejtë, demokratik dhe i zhvilluar, me ushtri dhe me polici që na mbron. Andaj, me këtë përkushtim si Kryeministër i Republikës, por edhe si njëri nga ju, si qytetar i Kosovës së pavarur, unë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për qëndresën tuaj gjatë këtyre plotë 25 viteve,” tha Kryeministri Kurti.
Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, Kurti u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj. Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.
Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, ai shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. Prandaj, me këtë rast ai i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi për më të dashurit tanë që mungojnë tash e 25 vite. “Sepse drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme”, përfundoi kryeministri.
Së bashku me Kurtin, për të nderuar të vrarët me homazhe, ishin deputetët nga Kuvendi i Kosovës, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, të cilët u mirëpritën nga familjarët e martirëve./Arbresh.info
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...