Google ADS

Kurti: Përgjatë tri viteve, Qeveria ka rishpërndarë rreth 1.3 miliard euro te qytetarët dhe bizneset

15:55 | 30 Dhjetor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot mori pjesë në Konferencën vjetore 2024 për progresin në mbështetjen e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Aty Kurti takoi ndërmarrës me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim mbi progresin e deritanishëm, sfidat dhe përpjekjet e përbashkëta nga sektori privat dhe Qeveria, transmeton Arbresh.info.

“Ne jemi nisur nga parimet për qeverisje të mirë dhe për vizionin tonë zhvillimor i cili nënkupton qëndrueshmëri, mirëqenie, siguri dhe barazi. Kemi ndërmarrë masa mbështetëse për qytetarët e bizneset gjatë këtij mandati. Më e rëndësishmja së bashku me ju, me punën dhe investimet tuaja, ne po e fuqizojmë ekonominë e vendit”, tha kryeministri.

ZKM njofton se Kurti veçoi trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike të arritura si përpjekje e përbashkët, duke përfshirë rritje mesatare ekonomike prej 6% në 4 vjet qeverisje, dyfishimin e eksporteve, dyfishimin e Investimeve të Huaja Direkte, rritja e qarkullimit të bizneseve, Bruto Produktin Vendor prej 10.3 miliardë euro, borxhin publik më të ulët në Evropë (prej 17%) dhe uljen e borxhit të faturave të papaguara për mallra dhe shërbime, si dhe rritjen e shpenzimeve kapitale, të cilat këtë vit janë më të lartat ndonjëherë në vlerë prej mbi 600 milionë euro.

“Përgjatë tri viteve, Qeveria ka rishpërndarë rreth 1.3 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Qindra biznese mikro, të vogla dhe të mesme janë mbështetur përmes granteve të synuara dhe programeve për zhvillimin ekonomik, derisa është promovuar inovacioni dhe digjitalizimi në sektorin privat, duke ofruar mbështetje për startup-et dhe ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme që sjellin ide të reja teknologjike”, thuhet në njoftim.

Disa nga këto masa mbështetëse për bizneset përfshijnë:

· Mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës së 711-të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej mbi 20 milionë euro;

· Mbështetje financiare për 450 biznese tjera me gjithsej 12.4 milionë euro në subvencionimin e kredive investuese në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike;

· Mbështetje financiare në vlerë prej 3.2 milionë euro, për ndërkombëtarizimin e 392 bizneseve vendore, me pjesëmarrjen në 51 panaire ndërkombëtare për mallra, shërbime dhe aktivitete të turizmit, duke promovuar mbi 1500 produkte të mallrave, shërbimeve dhe aktivitete të turizmit;

· Kosova me qasje në një nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët” në vlerë prej 4.2 miliardë euro për mbështetje të bizneseve dhe organizatave, për periudhën 2021-2027;

· Mbështetje financiare gjithashtu me vlerë prej 36 milionë euro në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke garantuar 1,222 kredi të 1,074 ndërmarrjeve fillestare, ose mikro, të vogla dhe të mesme, me vlerë prej 82 milionë euro kredi të disbursuara nga garantimi prej Fondi ku nga këto kredi janë gjeneruar 2,230 vende të reja të punës;

· Garantim i investimeve deri në 3 milionë euro të mërgatës tonë, kudo në botë përmes “Dritares për Investime të Diasporës”.

“Ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë edhe kategoritë të cilët janë më së shumti në nevojë në vendin tonë, fëmijët, nënat, pensionistët, studentët, por gjithashtu edhe me bizneset sidomos sa i përket subvencionimit të kamatave për kreditë investuese, për blerjen e makinerive prodhuese, pastaj për bonusin prej 6 muajve për të rinjtë që punësohen nëpërmjet programit “SuperPuna” prej 19 deri në 29 vjeç e kështu me radhë”, deklaroi kryeministri para të pranishmëve. Ai u fokusua edhe në procesin e arsimit dual në 12 profile, në 25 shkolla profesionale dhe 15 komuna, me ç’rast janë ndarë mbi 6000 bursa për studentë në fushat STEM.

Derisa i inkurajoi bizneset të vazhdojnë angazhimin për një të ardhme edhe më të ndritur për Kosovën, kryeministri Kurti u zotua se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj tyre dhe të jetë një shtyllë thelbësore për arritjen e vizionit tonë të një industrie vendore që të prodhojë për tregun vendor e ndërkombëtar./Arbresh.info

Të ngjashme