Kurti për sulmin në Ibër-Lepenc: Nëse s’e ka bërë Serbia e kanë bërë Serbia e Rusia bashkë

21:29 | 29 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sulmi mbi kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor. Kurti ka thënë se nuk po mund ta paramendojë ligësinë aq të natryshme të dikujt, që në mënyrë kriminale i vendos 20 kilogramë eksplozivë e me lënë gjysmën e Kosovës pa energji elektrike e pa ujë.

Kurti në podkastin “Rrjedha” që transmetohet në KTV, ka thënë se kishte fat në fatkeqësi, pasi ka mundur të ketë vërshime e nuk do të kishte riparime të shpejta qysh janë bërë. Ai ka thënë se me këtë sulm është kaluar nga “lufta hibride në luftë kinetike”.

Kurti ka thënë se s’ka dyshime se kush qëndron prapa sulmit.

“Nëse nuk e ka bërë Serbia e kanë bërë Serbia e Rusia bashkë”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur tri momente në konferencën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ishin indikacione se Serbia qëndron prapa sulmit.

“E para kur tha se në vitin 1985 ekzistonte një projekt për t’ia ndërruar rrjedhën lumit Ibër, e bile edhe myslimanë e boshnjakë të Ribariqit në Sanxhak kishin kërkuar këtë gjë nga ujë, por ju thash jo. E çka po i bie kjo, eksplodimi është plani B…Ajo pastaj e vdes Liqenin e Ujmanit që furnizohet prej Ibrit. Tjetra tha se të arrestuarit nuk i njoh kush janë, vetëm njërin e njoh. Tha se është njeri i mrekullueshëm. E treta tha se është e vërtetë që eksplozivi ishte i serbëve, por paraprakisht ishte konfiskuar prej Policisë së Kosovës”, tha Kurti.

Ai ka thënë se është çmenduri të mendohet se vetë Kosova qëndron prapa sulmit.

“S’ka vend në Evropë që ka më tepër mbikëqyrje ndërkombëtare sesa Kosova. Besoj se ia kalojmë edhe Bosnjës. E kemi KFOR-in këtu, kemi aq shumë shtete që kontribuojnë me ushtarë edhe me tjertë. Gjithë këto ambasada janë, plus sot në kohën e teknologjisë së informacionit, u pa që telefoni personal mobil nuk është ndoshta aq personal. A e kuptoni jemi të monitoruar aq shumë. Qysh është e mundshme, që dikush mendon se mund të bësh diçka këtu e amerikanët e evropianët nuk e marrin vesh. Është çmenduri”, tha Kurti, që i hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit se ai vetëm 9 minuta pas sulmit në Ibër-Lepenc kërkoi nga KFOR-i që të futet FSK-ja në veri.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, që tha se Amerika nuk po e sheh një lidhje të Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc.

“Unë e kam përcjellë deklaratën e ambasadorit Hill. Lidhjet e Serbisë me Rusinë janë shumë më të thella e të gjera sa që ai i konsideron. Depërtimi i Rusisë në dekadën e fundit në inteligjencën në Serbi, në Ushtri, në Polici, Akademi, media, është shumë i madh…Kam përshtypjen se ambasadori Hill ka besuar se nëpërmjet presidentit Vuçiq mund ta shkëpusë Serbinë nga Rusia. Unë se kam besuar asnjëherë këtë. E mbaj në mend në pranverën e vitit 2022 thoshte vetëm sa mbahen zgjedhjet në Serbi dhe situata ndryshon. Tash jemi afër prillit të vitit 2025, s’ka ndryshim. Sigurisht ambasadori Hill do të largohet e Serbinë do ta kemi në gjendje më të keqe se sa kur e ka gjetur Serbinë kur erdhi”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për integrimin e serbëve në Kosovë, duke shtuar se ka pasur angazhim në këtë drejtim. Ai ka thënë se ka pasur përkrahje të projekteve të fermerëve, OJQ-ve dhe startapeve e mediave në veri.

“Është ana tjetër e medaljes. 15 vetura të serbëve të integruar në Kosovë janë djegur në viti n2023. Gjithmonë ka alarmim nëse ka aksion të policisë kundër keqbërësve dhe shkelësve të ligjit, por nëse ka dhunë ndaj serbëve të integruar në Kosovë s’po ka reagim…Agresiviteti i Beogradit vjen pasi gjendja po përmirësohet atje. Po të shpresonte Beogradi që gjendja atje po përkeqësohet e po implodon, atëherë do të na lavdëronte. Gjithë piskama e Beogradit vjen pikërisht nga suksesi i integrimit. Në të kaluarën, me atë marrëveshjen e parë të parimeve, nuk ka pasur integrim të serbëve. Ka pasur bashkëngjitje të strukturave. E kur strukturat bashkëngjiten ato edhe shkoqiten, qysh ndodhi më 5 nëntor të vitit 2022 kur dolën 547 policë. Ka integrim të vërtetë të qytetarëve. Frika e tyre ndaj Serbisë po vjen duke u zbehur, por nuk mund të them se ka ndonjë entuziazëm për mua, e pranoj”, tha Kurti.

Ai ka thënë se ka pasur takime me serbët, por se shumica dërrmuese nuk janë publikuar dhe se ka pasur pasoja për disa nga serbët me të cilët është takuar.

“Ka pasur ndonjë që ka humbur punën se është takuar me mua. Unë e pranoj se nuk po arrij me i mbrojtur serbët qysh duhet e qysh kisha dashur. Pas takimit, unë kthehem, por ai mbetet aty”, tha Kurti.

Sa i përket kërkesave për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se ky nuk është në Top 3 të prioriteteve për serbët e Kosovës. Ai ka thënë se për Serbinë ky është prioriteti i parë.

Ai ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti ka thënë se në vitin 2025 do të ndahen 4 milionë euro për Luginën.

“E dimë që në qeverisje dashuria tregohet edhe me buxhet”, tha Kurti.

Të ngjashme