Kurti për shkarkimin e ambasadorëve: Hap drejt kthimit të ligjshmërisë, shumica e ambasadorëve të rinj do të jetë diplomatë të karrierës

13:45 | 21 Maj 2021
Arditë Shkodra

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot rreth largimit të ambasadorëve politikë, duke thënë se shërbimi i jashtëm ishte i mbingarkuar me diplomatë politikë, duke e kaluar kuotën e paraparë ligjore.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ky është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster, ndërsa tha se së shpejti do t’i fillojnë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.

Postimi i tij i plotë:

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam pajtuar me propozimin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, për lirimin e ambasadorëve të caktuar me çelës politik.
Ky propozim i Zëvendëskryeministres Gërvalla, i dekretuar nga Presidentja, znj. Vjosa Osmani, është hapi i parë në reformën e domosdoshme në Shërbimin e Jashtëm dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme e Diasporës. Këtë reformë ne e kemi nisur edhe gjatë Qeverisë sonë të parë të pranverës 2020, dhe e kemi paralajmëruar në zotimet tona elektorale dhe programin tonë qeverisës.
Ambasadorët e liruar kanë dhënë kontributin e tyre për vendin, për çka i falënderojmë. Por, qeverisjet e kaluara kanë mbingarkuar Shërbimin e Jashtëm me diplomatë politikë, duke e kaluar kështu kuotën e paraparë ligjore. Prandaj, ky hap është hap i duhur drejt kthimit të ligjshmërisë në këtë dikaster.
Në koordinim me Zëvendëskryeministren Gërvalla, Presidenten Osmani dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pa humbur kohë do t’i fillojmë procedurat për dërgimin e diplomatëve në misionet tona diplomatike, ku numrin dukshëm më të madh do ta përbëjnë diplomatët e karrierës.
Ligjshmëria, reformat strukturore dhe vendosja e mekanizmave të profesionalizmit dhe meritokracisë janë shtyllat mbi të cilat qeverisja jonë do ta ndërtojë përfaqësimin dinjitoz të Republikës sonë në arenën ndërkombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme