Google ADS

Kurti për Serbinë: Jemi të gatshëm ta zgjasim dorën nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet

15:29 | 11 Nëntor 2022
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa iu ka drejtuar Forumit të Paqes në Paris, tha se Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq edhe pas 11 vjetësh, raportet nuk janë më të mira sesa para një dekade dhe sipas tij, ka një arsye të qartë për këtë.

Para të pranishmëve, Kurti u shpreh se Serbia ka dështuar në demokratizimin e vet dhe kërkon më shumë konflikt se sa bashkëpunim.

Megjithatë, ai tha se Kosova është e gatshme që Serbisë t’ia shtrijë dorën dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por ngriti dyshime se Serbia mund ta bëjë të njëjtën gjë.

“11 vjet më vonë marrëdhëniet nuk janë më të mira se para një dekada dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende u jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i gjykojë e t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur. Është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit”.

“Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë janë koncesionet për ta ndarë vendin tonë në vija etnike, por nëse Serbia nuk është gati të na njohë, 5 vendet e Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë të na njohë më shpejt, duke na njohur ato fillimisht”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar.

Tutje, kryeministri tha se paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia.

“Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta për dominim. I shohin shtetet me thjerrëzat e etnisë sepse nuk besojnë ne vlerat e demokracisë, ku qytetaria ka të bëjë me bindje ndaj institucioneve të ligjshme dhe përqafimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të barabarta. Kjo është themelore dhe duhet të jemi vigjilentë dhe nuk mund të lejojmë që fashizmi të fitojë legjitimitet për shkak se kontinenti ynë është vënë në zjarr disa herë. Atë që, ne, e shohim në Ukrainë është e qartë, është fashizëm rus”, ka përfunduar Kurti. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme