Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një interviste për gazetën malazeze “Pobjeda”, ka folur rreth sulmit terrorist që u krye në Banjskë me 24 shtator.
“Është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të profesionistëve serbë që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia. Të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, kanë ardhur nga Serbia, dhe për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë. Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në livadhet e Pasuljanskit, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, Milan Radojiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë.
“Të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radojiçiqit nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës.
Kurti sulmin terrorist e ka quajtur skenar për gjakderdhje në Kosovë. Derisa arrestimin e pastaj lirimin e Milan Radoiçiqin e ka krahasuar me marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë.
“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar, domethënë, do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje. Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radojiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Slloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka deklaruar Kurti për Pobjeda.
Me këtë sulm Kurti ka thënë se Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan, ku entiteti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet “Bjellorusia e vogël”.
“Serbia dëshiron statusin e “Rusisë së vogël” në Ballkan, ku entiteti i RS në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet “Bjellorusia e vogël”. Në vitet 1990, Vuçiq mbrojti idenë e një “Serbie të madhe”, të cilën ai tani, duke ndjekur shembullin e “botës ruse”, e quan “bota serbe”. Sot Serbia përsëri ëndërron për një Serbi të madhe; ka pretendime për një pjesë të territorit të shtetit të BeH, dëshiron ta kthejë Malin e Zi në Ukrainë, të na vjedhë veriun e Kosovës. Ajo këmbëngul për një marrëdhënie me fqinjët e saj të ngjashme me marrëdhëniet e Moskës me Ukrainën dhe Bjellorusinë, që nënkupton ose një kontroll të caktuar të qeverisë qendrore ose kontroll të një pjese të caktuar të territorit të vendit fqinj. Prandaj fqinjësia e Serbisë paraqet rrezik sigurie për ne”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu kryeministri Kurti, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës mban kontakte të rregullta me SHBA-në dhe shtetet tjera anëtare të BE-së, veçanërisht për kërcënimin e fundit serioz nga Serbia.
E patë që reagimi i SHBA-së ndaj agresionit të Serbisë ishte i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm. Së fundmi i kam kërkuar Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, Jake Sullivan, që të rrisë mbështetjen për Kosovën kundër planeve të luftës të Serbisë. Kosova gjithmonë mbështetet në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe ne jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Prandaj dyfishuam buxhetin vjetor për mbrojtjen e Kosovës dhe e rritëm numrin e ushtarëve për 80 për qind. Na duhet një ushtri e pajisur mirë, e cila do ta mbrojë Kosovën me sukses. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO – është mirëqenia dhe kontributi ynë për sigurinë e rajonit”, ka deklaruar Kurti./rtk
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?