Kurti: Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë euro

20:51 | 24 Nëntor 2022
E.H

Buxheti për vitin 2023, ishte tema e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me qytetarët e Komunës së Prishtinës.

Së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri Kurti prezantoi para qytetarëve disa nga projektet dhe nismat për vitin e ardhshëm, që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti në historinë e Republikës sonë, dhe do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë €, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë € për vitin 2023.

Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë €.

Kryeministri veçoi disa nga projektet më me interes për qytetarët e kësaj komune që parashihen me buxhetin për vitin e ardhshëm në arsim, shëndetësi, siguri, kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore.

Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 ka filluar nga dita e martë, në Komunën e Prizrenit, duke vazhduar dje në Mitrovicë, e do të prezantohet edhe në komuna të tjera, ku qytetarët do të kenë mundësi të bashkëbisedojnë me Kryeministrin dhe ministrat, dhe të japin mendimet e tyre lidhur me buxhetin e vitit 2023.​/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme