Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një intervistë me BBC World News Service në të cilën ka folur për lidhjet e afërta politike, ekonomike dhe ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe rrezikun që ato paraqesin për Ballkanin Perëndimor si dhe për dezinformimin si formë e luftës hibride në rajon.
Ai i mohoi akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë për t’iu bashkuar trupave ukrainase sikurse edhe pretendimet e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavror se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë njësoj me ato të intervenimit të ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
“Në mesin e viteve ’90 ne patëm gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të viteve ’90, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 vende arritën konsensus për të bombarduar Jugosllavinë dhe Serbinë. Duhet të ketë qenë shumë keq sepse 19 shtete i thanë po bombardimit të një vendi dhe falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi serb në Kosovë u ndal”.
“Më herët se në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara nga policët dhe ushtarët serbë. 860 mijë persona u deportuan jashtë vendit tonë, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Kemi ende sot 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, dhe mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori, dhe NATO ndërhyri atëherë”, deklaroi Kurti.
Ndër të tjera, ai foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për çka tha se e duam ndihmën e Evropës Perëndimore, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt.
Intervista e plotë e kryeministri Kurti për BBC World News:
BBC World News: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti na bashkëngjitet drejtpërsëdrejti nga kryeqyteti, Prishtina. Ju mirëpresim dhe faleminderit shumë që na u bashkuat. Fillimisht jemi shumë të interesuar të marrim mendimin tuaj mbi atë se sa jeni të shqetësuar për konfliktin në Ukrainë dhe a mund të shpërndahet edhe në shtetin tuaj Kosovën?
Kryeministri Kurti: Padyshim që ka një luftë hibride në gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor sepse ka përfaqësues (angl. proxies) të ndryshëm në rajonin tonë që janë të ndikuar drejtpërdrejt dhe ndoshta edhe të financuar nga Kremlini, përkatësisht Serbia fqinji jonë verior nuk e njeh Republikën tonë, por edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë kanë lidhje shumë të gjera dhe të forta me Moskën. Jemi të shqetësuar, por nuk kemi frikë, jemi shumë vigjilentë, sepse është në interesin e Kremlinit të përhapë luftë, konflikt diku tjetër në mënyrë që të shkaktojë destabilizimin e Evropës kontinentale drejt asaj që besoj se është qëllimi i Presidentit despotik Putin, një tjetër konferencë e Jaltës e ngjashme me atë të Luftës së Dytë Botërore.
BBC World News: Për disa nga shikuesit tonë më të rinj në moshë, Konferenca e Jaltës është konferenca në të cilën perandoria sovjetike u krijua nga bisedimet që u zhvilluan midis BRSS dhe ShBA-së për Evropën. Kur flisni për luftën hibride, për çfarë po flisni saktësisht?
Kryeministri Kurti: Qendra rajonale e Sputnik-ut në Ballkanin Perëndimor është në Beograd. Ka kaq shumë media online që e vlerësojnë Kremlinin dhe agresionin ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë dhe pushtimin rus në Ukrainë, dhe që përpiqen të nënçmojnë luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe guximin dhe qëndrueshmërinë e tij. Pra, lufta hibride është e mbushur me narrativa të rreme dhe dezinformata për të mbajtur lart moralin e ushtarëve rusë dhe për të pasur rekrutim në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor për organizata të ndryshme ekstremiste të krahut të djathtë. Në veçanti Beogradi zyrtar ka lidhje të ngushta me Moskën. Gazprom-i zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të bazenit më të madh të gazit në Evropën Juglindore që është në Banatski Dvor në Vojvodina në Serbi. Pastaj 10 vjet më parë Serbia dhe Rusia kishin dy aktivitete të përbashkëta ushtarake. Në vitin 2016 kanë pasur 50 aktivitete të përbashkëta ushtarake dhe vitin e kaluar kanë pasur 100 aktivitete të përbashkëta ushtarake. Serbia shpenzon gati 3% të BPV-së në pajisje ushtarake dhe personelin e saj ushtarak dhe ka 14 MIG-29, 8 prej tyre donacione nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia.
BBC World News: Pra me këtë që po thua, po mendoj që frika juaj më e madhe përqendrohet tek Serbia dhe lidhjet e saj me Rusinë dhe sesi kjo mund të ndikojë në vendin tuaj. Por mund ta keni parë që Moska vazhdimisht e përdor argumentin që ShBA-ja dhe NATO-ja me pretekstin e ndërhyrjes humanitare, këto janë fjalët e Rusisë, dhe pa autorizimin e OKB-së bombarduan Serbinë në vitin 1999 pasuar me inkursion tokësor. Dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e përdor shpesh këtë duke thënë se perëndimi dhe në veçanti ShBA-ja janë ata të cilën kanë vendosur precedent dhe kjo e shfuqizon vlerën e kritikës së aleancës perëndimore ose NATO-s ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë. Cili është reagimi juaj?
Kryeministri Kurti: Në mesin e viteve ’90 ne patëm gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund të viteve ’90, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndaluar gjenocidin në Kosovë. Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 vende arritën konsensus për të bombarduar Jugosllavinë dhe Serbinë. Duhet të ketë qenë shumë keq sepse 19 shtete i thanë po bombardimit të një vendi dhe falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi serb në Kosovë u ndal. Në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara nga policët dhe ushtarët serbë. 860 mijë persona u deportuan jashtë vendit tonë, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Sot ende i kemi 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, dhe mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori, dhe NATO ndërhyri tek atëherë.
BBC World News: E kuptoj çfarë po thua, ju mendoni se ishte një veprim i justifikuar në atë aspekt të veçantë. Natyrisht, ka pasur një diskutim në Ukrainë për zonën e ndalim-fluturimit dhe për shembull presidenti i Ukrainës Zelensky e dëshironte atë gjë, aleanca e NATO-s nuk u pajtua. Z. Zelensky duket se e ka lënë të nënkuptohet, dhe fjalët e ka lënë të nënkuptohet janë mjaftueshëm të forta, se nuk do të vazhdojë tutje synimin për anëtarësim në NATO nëse kjo do të ishte një nga kërkesat e Rusisë. Ai thotë që dera nuk është në të vërtetë e hapur, po parafrazoj. A do të dëshironit që Kosova të ishte pjesë e NATO-s, a besoni kjo është e rëndësishme për sigurinë tuaj?
Kryeministri Kurti: Sigurisht që ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe Programi i Partneritetit për Paqe është caku i parë i rëndësishëm drejt kësaj. Vitin e kaluar ne kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21 që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë. Ndërsa Serbia ka marrë pjesë së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë në atë që ata e kanë quajtur “Mburoja Sllave” në mes të tetorit të vitit të kaluar. Pra, ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe duam ndihmën e Evropës Perëndimore, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt.
BBC World News: Dhe çfarë mendoni për presidentin Zelensky, dhe siç e përmenda po e parafrazoj, që nuk po këmbëngulë për anëtarësimin në NATO, ndoshta duke hapur rrugë dialogut me Rusinë duke thënë se ata mund të mos anëtarësohen. Mendoni se është lëvizja e duhur?
Kryeministri Kurti: Mendoj se Presidenti Zelensky po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelensky, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden. Ju e dini se Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik.
BBC World News: Po vërtet. Më lejoni t’i kthehem një akuze nga Rusia se Kosova ka dërguar luftëtarë për të luftuar përkrah trupave ukrainase. A është e vërtetë?
Kryeministri Kurti: Nuk është e vërtetë. Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë, por që në fillim ne si Qeveri e Kosovës shprehëm admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas, dënuam ashpër invazionit rus dhe iu bashkuam sanksioneve të ShBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë.
BBC World News: Na kanë mbetur vetëm edhe diku rreth 45 sekonda zotëri Kryeministër, si mendoni se do të zhvillohen gjërat në javët e ardhshme?
Kryeministri Kurti: Mendoj se populli ukrainas ka nevojë për të gjithë ndihmën që ne mund të japim. Si Republikë e Kosovës ne tregojmë gatishmëri për të pranuar 5 mijë refugjatë dhe 20 gazetarë me kushte pune për ta në Kosovë, por tani është shumë e rëndësishme që të mos lejojmë që lufta të përhapet diku tjetër dhe të ndihmojmë Ukrainën të mposhtë Federatën Ruse./arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...