Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke uruar që të dalin ballëlartë dhe krenarë gjithë të akuzuarit e Speciales.
Kurti përmes një postimi në Facebook i ka uruar që kjo festë le të jetë urim i gëzueshëm e një shpresë, që me punë e drejtësi të mund ta arrihet një të ardhme më të mirë, si komb e shoqëri, si individë e komunitete.
“Sot dua të uroj ditën e Flamurit edhe për bashkëveprimtarin tonë, Rexhep Selimin, i cili bashkë me Heroin Mujë Krasniqi e Daut Haradinajn, në 28 Nëntor 1997, paraqiti për herë të parë publikisht UÇK-në. Uroj që ai dhe luftëtarët e tjerë të akuzuar të dalin ballëlartë e krenarë nga këto gjyqet më të reja e fort speciale”, ka shkruar Kurti.
Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:
Kruja, Vlora, Drenica. 28 Nëntori i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i Adem Jasharit dhe i shpalljes së UÇK-së.
Nëse kthejmë sytë pas, çdo datë, çdo legjendë, çdo histori, çdo përkujtimore, çdo lapidar, çdo varr i paraardhësve tanë, çdo amanet e shpresë për bashkësinë, që ende nuk e ka gjetur përmbushjen, ngërthehet te 28 Nëntori. Çdo datë tjetër shënon një kohë në kalendar, 28 Nëntori na e shënon hapësirën. Atë të humburën, dhe atë të ruajturën që assesi nuk bën ta humbim.
Sot është kryedita e shqiptarëve, por nuk do të festohet siç kemi bërë çdo vit. Pandemia, me goditjen e saj në jetët e të dashurve tanë e në shëndetin e njerëzve, me tronditjen që ia ka dhënë ekonomisë edhe ashtu të varfër të shumicës së familjeve shqiptare, mbase shumëkujt nuk ia krijon mundësitë për festë.
Por le të jetë megjithatë një urim i gëzueshëm e një shpresë, që me punë e drejtësi të mund ta arrijmë një të ardhme më të mirë, si komb e shoqëri, si individë e komunitete, përfshi edhe minoritetet që jetojnë mes nesh, të cilët gjithnjë duhet t´i trajtojmë si të barabartë, miqësisht e pa hasmëri.
Sot dua të uroj ditën e Flamurit edhe për bashkëveprimtarin tonë, Rexhep Selimin, i cili bashkë me Heroin Mujë Krasniqi e Daut Haradinajn, në 28 Nëntor 1997, paraqiti për herë të parë publikisht UÇK-në. Uroj që ai dhe luftëtarët e tjerë të akuzuar të dalin ballëlartë e krenarë nga këto gjyqet më të reja e fort speciale.
Kruja, Vlora, Drenica. Por edhe Saranda e Podujeva, Mitrovica e Bajram Curri, Shkodra e Shkupi, Manastiri e Ulqini, Gjakova e Dibra, Presheva e Korça, Lezha e Ohri, gjithë bregdeti, malësitë, fushat e rrafshet, diaspora, Prishtina e Tirana. Çdo vend ku flitet shqip, çdo fshat e lagje që sot krenohet me flamurin e vet, janë Atdheu ynë, që nuk i përket vetëm historisë, por mbi të gjitha i përket të ardhmes e atyre vajzave e djemve që ende nuk kanë lindur. Për ta duhet ta ndërtojmë një të tashme të drejtë, shtet që mbron e bashkon, qeverisje që lufton korrupsionin, shoqëri që përfshin pa dallim gjinie, pamjeje e prejardhjeje, ekonomi të qëndrueshme për përfitimin e rritjen e të gjithëve. Këto, bashkë me amanetet që na i kanë lënë dëshmorët, janë detyrat tona dhe interesi ynë.
Gëzuar 28 Nëntorin 2020!
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%
Hasani pret homologun polak: Jemi të gatshëm të punojnë së b...