Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë dhe ishte njëri nga folësit kryesore të ngjarjes së organizuar në Prizren për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtë vit po mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në fjalën e tij, ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gur themelin e përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vite më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912, përcjell Arbresh.info.
“Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne. Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë”, u shpreh Kurti.
“Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën ndërtesën, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, si një përpjekje tjetër e Serbisë, e dimensionit të gjenocidit kulturor, për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare vrasjet masive dhe zhdukjen e kufomave. Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit”, thuhet në njoftimin nga ZKM.
E megjithatë, “as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri”, theksoi kryeministri.
Ai bëri thirrje që të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona, si dhe punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinjë me ne.
“Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”, tha ai në fund të fjalës së tij.
Në këtë ngjarje, gjatë të cilës u shfaqë edhe një ekspozitë e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, të pranishëm ishin krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit./Arbresh.info
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...