Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, pati sot një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann, me personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer.
Duke rikujtuar historikun e viteve të ’90-ta dhe rrugëtimin e shumë shteteve drejt integrimit euro-atlantik dhe zgjerimin e BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës, në fjalën e tij, Kurti nënvizoi qëllimin tonë për anëtarësim në këto organizata dhe rëndësinë historike e momentumin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe shtetet demokratike evropiane, përcjell Arbresh.info.
“Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kurti.
Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.
Kurti u shpreh se pranimi i Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës në 75-vjetorin e saj këtë vit është një përparim historik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, për rajonin dhe për të gjithë Këshillin e Evropës, ku të gjithë qytetarët do të përfitojnë e veçanërisht dhe minoritetet në vendin tonë.
Në përfundim, kryeministri e falënderoi Fondacionin Bertelsmann për mikpritjen, kontributin dhe interesimin e tyre, duke veçuar politikanët që tashmë na mbështesin kaq shumë në Gjermani dhe Evropë./Arbresh.info
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?