12:05 | 22 Dhjetor 2023
A Z
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes shtatë pikave ka shkruar për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin serb në vitin 2024.
Kryeministri ka shkruar se “prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”.
Po ashtu Kurti ka kërkuar nga SHBA dhe BE që t’i vendosin sanksione Serbisë.
Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024
1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.
2) Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.
3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).
4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.
5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).
6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.
7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike./Arbresh.info/