Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tryezën e organizuar në shënim të 10-vjetorit të Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, ka thënë se parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore e kemi përcaktuar si prioritet qeveritar,tranemeton arbresh.info.
Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria do të angazhohet maksimalisht për të zbatuar në përpikëri hapat e masat që kërkohen prej saj dhe se do të marrë përsipër obligimet që parasheh Konventa.
“Gama e shtypjes që bie mbi gratë peshon shumë, e merr ngjyrime të ndryshme në varësi edhe të identiteteve të tjera, përveç atyre gjinore. Dhe, një lloj dhune, cilido lloj dhune, që nuk problematizohet në fillim, rritet e zgjerohet me kohën, duke e vështirësuar zgjidhjen dhe drejtësinë. Por, detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të ndërhyjmë aty ku ka më së shumti nevojë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në tryezën e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë morën pjesë edhe: Presidentja Vjosa Osmani, Frank Power, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Joern Rohde, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edi Gusia, udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore, në Zyrën e Kryeministrit.
E hapur për nënshkrim në maj 2011, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) është traktati më i avancuar ndërkombëtar për të trajtuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Kjo konventë është përfshirë vitin e kaluar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës./arbresh.info/
Fjalimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuari Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Joern Rohde,
I nderuari Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasador Michael Davenport,
E nderuara znj. Edi Gusia, Udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore në ZKM,
I nderuari z. Frank Power, nga Këshilli i Evropës,
Të nderuara gra aktiviste e politikane, përfaqësuese të organizatave dhe shoqatave për barazi gjinore,
Ndjehem i nderuar të ju drejtohem me këtë fjalë rasti, në këtë datë kaq të rëndësishme për këdo që ngulmon te barazia, edhe gjinore, sidomos gjinore. Të jem i pranishëm në këtë tryezë diskutimi me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, për mua është nder dhe përgjegjësi njëkohësisht. Nder, sepse në secilin diskutim ku kryetemë është lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një përpjekje për barazi. Secila përpjekje hap shtigje për solidaritet dhe emancipim, e solidariteti gjinor dhe emancipimi i të gjithëve është rruga që na shpie drejt një shoqërie më të drejtë e më të barabartë. Kurse përgjegjësi, sepse si kryeministër jam i vetëdijshëm që qeveria jonë është në ballë të kësaj beteje që kërkon shumë punë, se është shumë vështirë, por që këtë betejë duhet ta fitojmë me patjetër.
Sot, bëhen 10 vite nga Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Kjo Konventë është një hap i madh që është bërë në luftën për të eliminuar dhunën ndaj grave e dhunën në familje. Ky traktat që na ka mbledhur sot e që njihet ndryshe si Konventa e Stambollit ka rreth 8 muaj (shtator 2020) që është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Por, kjo nuk mjafton dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë.
Dhuna në familje e dhuna ndaj grave, të cilat janë kaq të përhapura në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara, kërkon një bashkërendim të të gjithë hapave që duhet t’i ndërmarrim, për ta zbehur, drejt eliminimit, këtë fenomen shoqëror që na pamundëson barazinë. Që në fillim Konventa e Stambollit u nënshkrua nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe kjo na ndihmon që ne si shtet të kemi modele konkrete se çka duhet bërë tutje në mbrojtjen e secilës viktimë të dhunës në familje, qoftë vajzë, grua, burrë a fëmijë. Shteti i së drejtës që aq shumë e dëshirojmë, është pikë së pari në anën e viktimës.
Konventa e Stambollit bazohet në katër pika:
– Parandalim të dhunës nëpërmjet edukimit dhe arsimimit mbi barazinë gjinore dhe të drejtën e integritetit personal
– Mbrojtje nga dhuna nëpërmjet krijimit të shërbimeve adekuate për viktimën
– Ndjekje penale të autorit që shkakton dhunë dhe ndëshkim
– Politika të integruara nëpërmjet të cilave ofrohet kundërpërgjigje ndaj secilës formë të dhunës.
Ne, si Qeveri, do të angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë në përpikëri hapat e masat që kërkohen nga ne dhe do të marrim përsipër obligimet që parasheh Konventa. Parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore e kemi përcaktuar si prioritet qeveritar.
Përtej, vlerës së përgjithshme që trajton kjo Konventë, ajo çka na shtyn të besojmë që ky traktat vërtet do të ndihmojë në krijimin e një shoqërie pa dhunë është mënyra e shtrimit të çështjes së dhunës. Konventa e Stambollit shënon një progres sa i përket demitizimit të roleve gjinore dhe stereotipeve të ndërtuara sidomos mbi gratë. Mënyra e definimit të dhunës dhe përgjithësisht koncepteve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në Konventën e Stambollit shtrohen saktë dhe zhvillohet tutje. Kjo na jep shpresë se ky mekanizëm do të na ndihmojë t’i zhbëjmë shumë diskriminime që janë të pranishme në shoqërinë tonë. Ta luftojmë si papunësinë ashtu diskriminimin në punë te gratë, që ta zvogëlojmë pabarazinë gjinore e ta rrisim drejtësinë shoqërore.
Si përfundim, duhet të thuhet që dhuna nuk ka vetëm trajtë fizike. Gratë e vajzat janë të cenueshme dhe nga format tjera të dhunës si: psikologjike, ekonomike, seksuale etj. Megjithëse ajo fizike është më brutalja. Vetëm vitin e kaluar gjashtë gra janë vrarë në Kosovë. Gama e shtypjes që bie mbi gratë peshon shumë, e merr ngjyrime të ndryshme në varësi edhe të identiteteve të tjera, përveç atyre gjinore. Dhe, një lloj dhune, cilido lloj dhune, që nuk problematizohet në fillim, rritet e zgjerohet me kohën, duke e vështirësuar zgjidhjen dhe drejtësinë. Por, detyra jonë si shoqëri e veçanërisht për ne si Qeveri është që të ndërhyjmë aty ku ka më së shumti nevojë.
Ju dëshiroj punë të mbarë dhe ju faleminderit.
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?