Kryetari i Vetëvendosje, partisë më të fortë opozitare në Kosovë, Albin Kurti, mendon se Bashkimi Evropian të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i pranojë në një ditë, diku në dekadën e ardhshme, ashtu sikur 10 shtete që hynë në BE, më 1 janar 2004.
“Serbia do që me një gur ti mbysë dy zogj, edhe para nesh të hyjë në Bashkimin Evropian, edhe ta krijojë bashkësinë serbe brenda Kosovës”, thotë Kurti në intervistë për agjensinë Patria, duke shtuar se kjo do të ishte humbje për të gjithë rajonin.
“Nëse njëri vend hyn vetëm një ditë para tjetrit, asgjë si ka bërë Greqia Maqedonisë për një çerek shekulli, çka do të bëjmë ne këtu. A po e shihni se çka Republika Srpska po i bën B&H?”, thotë Kurti.
Kryetari i VV-së në intervistë flet për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Beogradit, Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, marrëdhënies së Brukselit me vendet e rajonit dhe fatin e të gjithë rajonit.
NAP: Në Bosnje dhe Hercegovinë me vëmendje të veçantë përcillet marrëdhënia në relacionin Beograd – Prishtinë. Gjithçka duket sikur Vuçiq ka hequr dorë nga Kosova dhe që tani vetëm po kërkon mënyrën se si t’ua thotë këtë votuesve të vet?
Kurti: Vuçiqi po dobësohet çdo ditë, mirëpo në anën tjetër presidenti te ne, Hashim Thaçi, është më i dobët se ai dhe Vuçiq pikërisht këtu e sheh shansin e vet. Thaçi nuk është as i aftë, as kredibil t’i udhëheqë këto bisedime. Ai i frikësohet shumë Gjykatës Speciale dhe e sheh si një lloj imuniteti dialogun me Vuçiqin në zyrën e Mogherinit (Komisionerja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri). Sepse, përderisa ai angazhohet për atë dialog me Beogradin, Thaçi duket si shumë i nevojshëm për Brukselin dhe në atë mënyrë Gjykata Speciale e lë të qetë për ca kohë. Por, kjo është sikur kur don ta shuash etjen me ujë deti. Nuk do të mund të zgjatë shumë.
NAP: Përse mendoni që këto bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të sinqerta?
Kurti: Ne kemi patur 6 vjet dialog me Serbinë – nga 2011 deri më 2017 dhe nuk ekzison asnjë dokument zyrtar për atë dialog. E për t’u nisur në bisedime të reja duhet të dimë çka ka ndodhur më herët. I kanë 33 marrëveshje në mes Prishtinës dhe Beogradit për 6 vjet; disa nga ato marrëveshje janë përmbushur, shumica jo, disa janë përmbushur pjesërisht, ndërkaq disa janë përbushur, por janë komplet kundërproduktive. Njëra nga këto është për urën mbi lumin Ibër. Ekziston marrëveshja që kjo urë mund të kalohet lirisht, mirëpo marrëveshja nuk respektohet…dhe kështu me rradhë. Pra, fare nuk ekziston raport i kësaj qeverie çka nga marrëveshjet është respektuar e çka jo, që të mund të shkonim më tutje. Dhe, në fund, Thaçi negocion sikur ne i kemi borxh diçka Serbisë, që është absurde. Qeveria asnjëherë nuk i ka definuar kushtet e saj, kur bëhet fjalë për negociata me Serbinë. Presidenti ynë e ka mbështetur “Bashkësinë e Komunave Serbe” në Kosovë, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj ai nuk ka më legjitimitet as të jetë anëtar i ekipit negociator, e lëre më t’i udhëheq negociatat.
NAP: Si është në përgjithësi raporti i pushtetit kosovar ndaj serbëve në atë vend? Kjo edhe përmendet si “guri ku merret në thua” në mes Prishtinës dhe Beogradit?
Kurti: Ne mendojmë që na duhet dialog i drejtpërdrejtë me serbët e Kosovës, e jo në një zyrë të mbyllur të Mogherinit. Pra, na duhet ai dialog me serbët, boshnjakët, turqit dhe pakicat tjera. Ne tani kontaktin me pakicën serbe në Kosovë e kemi me ndërmjetësim, nëpërmjet Beogradit, që është gabim i madh i Thaçit. Mirëpo, ai e bën këtë që bashkësia ndërkombëtare ta mbyllë një sy e gjysmë sa i përket krimeve të luftës, për të cilat nuk besoj që është fajtor, dhe për krimet e paqes për të cilat mendoj se është shumë fajtor, sepse ai me vëllëzërit e tij është njëri nga njerëzit më të pasur në Kosovë dhe këtë pasuri të tij nuk mund ta arsyetojë.
Thaçi në këtë proces i ka bërë padrejtësi pakicave tjera. Sepse, është fokusuar në dialog vetëm me pakicën serbe dhe atë në mënyrën se si atë e sheh Beogradi.
Dhe, në fund, ne duhet të fillojmë të bëjmë bisedë të sinqertë me Brukselin. Këto 6 vjet të dialogut me Serbinë kanë kaluar në sferën e “normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”. Mirëpo nëse pyetni çka ky normalizim nënkupton, në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel, do t’i merrni më së paku tri përgjigje të ndryshme.
Brukseli si ndërmjetësues në mes nesh, as vet nuk është normal. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, kurse Brukseli thotë ne do t’i normalizojmë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Pra ndërmjetësuesi ka konfuzion për realitetin.
Dhe, tani, dialogu më i ri të cilin duan ta fillojnë quhet “dialogu për normalizimin e plotë”. Më herët ishte normalizimi, tani është normalizimi i plotë.
Marrëdhënia me Serbinë nuk mund të jetë diçka që do të na ndajë në Kosovë. Ka gjëra brenda Kosovës rreth të cilave mund të ballafaqohemi, por rreth marrëdhënieve ndaj Serbisë duhet të ketë bashkim. Çfarëdo dialogu me Serbinë në të ardhmen, nuk mund ta rrëmbejë agjendën shtetformuese dhe zhvillimore të Kosovës. Sepse, kur fillonte dialogu, të gjitha çështjet tjera binin në plan të dytë. Kjo nuk mund të lejohet. Ne nuk mund ta harrojmë shëndetësinë, ekonominë… vetëm për shkak se e kemi këtë dialog me Beogradin. Ndoshta kjo nga perspektiva e zyrës së Mogherinit duket e drejtë, por jo nga perspektiva e njerëzve në Prishtinë dhe nëpër fshatrat e Kosovës.
NAP: A mendoni se Brukseli nganjëherë është i padrejtë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kurti: Mendoj që duhet t’i themi Brukselit që dëshirojmë të hyjmë në BE. Mirëpo kur vjen koha për atë, duhet të gjithë njëkohësisht të hyjmë në Bashkimi. Evropian. Nëse njëri vend hyn vetëm një ditë përpara tjetrit, asgjë si ka bërë Greqia Maqedonisë për një çerek shekulli, çka do të bëjmë ne këtu. A po e shihni se çka Republika Srpska po i bën B&H?
Ashtu si 10 shtete më 1 janar të vitit 2004 hynë së bashku në BE, pashtu edhe 6 shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në të njejtën ditë, kurdo që kjo ndodhë. Sa më parë aq më mirë. Serbia tani don që me një gur të mbysë dy zogj: Të hyjë përpara Kosovës në BE dhe të fitojë “Bashkësinë e Komunave Serbe” në Kosovë. Sepse, Serbia kurrë nuk ka mundur ta paramendojë barazinë me shqiptarët dhe Kosovën. Sot ndoshta mund ta paramendojnë lirinë për shqiptarët, por jo edhe barazinë.
NAP: Si është raporti i qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës? Apo bëhet e gjithë kjo shfaqje për qytetarët apo për politikën?
Kurti: Populli nuk është problem, problem është shteti i Serbisë. Shteti serb tradicionalisht, por edhe aktualisht, është teokraci militare ku keni trinomin: Kisha Ortodokse Serbe – Ushtria, Policia dhe Shërbimet Informative – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë. Politika është vetëm mjet i këtij trinomi. Serbia jo vetëm në çerekshekullin e fundit, por gati një shekull e gjysmë prej se ekziston që nga Kongresi i Berlinit, e ka pasë nominalisht një udhëheqës demokratik në Zoran Gjingjiqin, dhe atë e kanë vrarë.
Mirëpo, ne tani kemi një situatë ku asnjë serb nga Kosova nuk mendon se ndonjë shqiptar e ka vrarë Oliver Ivanoviqin. Ekziston koncensusi që kjo është vepër e Beogradit. Por nuk guxojnë të flasin për këtë. Sepse akti kriminal kundër Ivanoviqit, nuk është akt vetëm kundër tij, mirëpo ai ishte akt kundër të gjithë atyre të cilët do të provonin të mendonin me kokën e tyre.
NAP: B&H dhe Kosova ende nuk i kanë definuar marrëdhëniet e tyre. B&H nuk e ka njohur Kosovën. Kjo më së shumti i dëmton qytetarët e thjeshtë. Cila është zgjidhja?
Kurti: Shqiptarët dhe Boshnjakët kanë marrëdhënie të mira, por pasive. Ne kemi mendim të mirë për njëri-tjetrin, mirëpo ato marrëdhënie janë pasive. Nga ana tjetër, me Serbinë kemi marrëdhënie të këqia, mirëpo aktive. Kjo duhet të ndërrojë. Na duhen marrëdhënie të mira dhe aktive në mes Prishtinës dhe Sarajevës.
Liria e Lëvizjes në mes të B&H dhe Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë. Për mua është e papranueshme që nga 52 ndërmarrje nga B&H të cilat tani punojnë në Kosovë, 47 prej tyre janë nga Republika Srpska dhe është Republika Srpska ajo që krijon probleme në marrëdhëniet e Kosovës dhe B&H.
NAP: Është folur që kur ju të vini në pushtet, më në fund do të qetësohet situata politike në Kosovë. Si është e mundur që njerëzit nuk pranojnë të kenë qeveri të sigurtë dhe jetë të sigurt?
Kurti: Mendoj që populli do që ne të jemi partia në pushtet. E dini, ka pushtet pa demokraci, por nuk ka demokraci pa opozitë. Ne kemi qenë ajo opozita demokratike aktive, e cila ne qershorin e vitit të kaluar i ka fituar 200 mijë vota, mirëpo vullneti i popullit u shtyp me manipulime… Kjo nuk do të zgjasë gjatë.
Ne në qershor të vitit të kaluar e kemi dyfishuar numrin e votave dhe i kemi fituar 32 mandate deputetësh. Pas disa muajsh, disa nga përfaqësuesit tanë dolën nga VETËVENDOSJE! dhe iu bashkuan Partisë Socialdemokrate. Ne po e vazhdojmë punën tonë me të njëjtin orientim socialdemokrat. Sipas të gjitha gjasave, ata që kanë dalur nga Lëvizja jonë i kanë bërë më shumë dëm vetes se sa neve. Nga sondazhet e fundit Lëvizja jonë qëndron diku 10 herë më mirë se ata që dolën nga ajo. Më duhet të pranoj që e kam enigmatike përse kanë vendosur të dalin nga Lëvizja jonë kur jemi kaq të fortë, kur është e qartë se ne jemi qeveria e ardhshme në zgjedhjet e pashmangshme të jashtëzakonshme, sepse tani kemi qeveri të pakicës, e cila i ka 52 deputetë nga gjithsejt 120.
Mirëpo, duhet ditur se pavarësisht sa është situata e keqe, ajo dikujt i konvenon, sepse dikush përfiton nga ajo. Sikur të mos përfitonte askush, kjo situatë nuk do të ishte e qëndrueshme. Situatat e këqia janë të qëndrueshme, sepse dikush që është i fortë vazhdon të përfitojë.
Por demokracia e vërtetë nuk vjen nga lart, sepse ajo është autoritarizëm. Demokracia e vërtetë vjen nga poshtë lart, e këto janë zgjedhjet.
NAP: Mjaft sigurisht flisni për fitoren tuaj të ardhshme?
Kurti: Ne ecim përpara në rrugën e cila lidhë sovranitetin e plotë për Kosovën dhe brengën për çështjen kombëtare në Ballkanin gjithnjë të trazuar, me qendrën e majtë, me politikë të orientuar socialdemokrate, e cila do që rritjen ekonomike ta kombinojë me drejtësinë sociale.
Kryeministri i sotshëm, Ramush Haradinaj është i dobët. Nuk është shembull i vërtetë. Ai është ushtrues detyre i kryeministrit. Duket sikur Presidenti Thaçi ta kishte marrë me qera. Nuk shkon asnjë javë mos ta bëj një skandal. Gjatë 10 muajve ai e ka dyfishuar rrogën e vet dhe rrogën e ministrave, zëvendësave, si dhe kabinetit të tij. Kosova i ka 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra dhe diku 80 zëvendësministra. Dhe, kjo deri më sot. Nuk e dimë çka do të ndodhë nesër. Ai është kryeministër me rrogën më të madhe në Ballkan. I ka 3.000 euro rrogë. Ka bërë koalicion me Listën Serbe, e cila është parti politike të cilën e kontrollon Beogradi. Marrëveshjen e ka bërë me Milan Radojçiqin, i cili është kriminel nga veriu i Kosovës, në listat e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në Qeveri e ka marrë si Ministër të Bujqësisë Nenad Rikallon, për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë që ka marrë pjesë në grupet paramilitare të forcave serbe të cilat i kanë rrahur shqiptarët. Por kjo akoma po hetohet.
Kur e kanë pyetur: Përse e keni dyfishuar pagën e vet Haradinaj është përgjigjur: “Më duhet kravata të mira”.
NAP: Nëse e fitoni pushtetin në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, të cilat janë më së voni në pranverë, në atë rast do të fitohej një bllok vendesh të Ballkanit Perëndimor me socialdemokratë në pushtet – nga Greqia nëpër Maqedoni deri në Kosovë? A do të thotë kjo që rajoni do të futej në një periudhë paqeje?
Kurti: Popujt tanë janë të varfër. Sepse, çfarë është ai sistem kur suksesi është i rezervuar vetëm për të suksesshmit. Duhet krijuar sistem që edhe njerëzit tjerë të kenë sukses. Politikat në rajon kryesisht mirren me çështje nacionale, por jo edhe me çështje sociale. Shumë njerëz thonë sot që mirë që nuk ka luftë. Por kjo nuk mund të zgjasë tërë jetën. Ajo ndjenjë kur kemi paqe është e mirë. Mirëpo paqja me mjerim social është luftë në paketim tjetër.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...