Google ADS

Kurti: Pacientët në Klinikën Emergjente do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim

11:39 | 27 Gusht 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haxhi Avdyli, të shoqëruar nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, morën pjesë në përurimin e renovimeve të Klinikës Emergjente brenda QKUK-së.

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje lidhur me këtë, duke theksuar se nga investimet, kostoja e të cilave arriti shumën rreth 800 mijë euro.

Kryeministri Kurti cilësoi se sot duket që nuk është e mundshme të njihet Klinika Emergjente për shkak të transformimit rrënjësor që ka përjetuar së brendshmi.

“Kemi triazhimin, hapësirën për triazhim, kemi riorganizim të sportelit, kemi nyje sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritjet e numrit të shtretërve nga 20 në 25”, tha Kurti, shkruan Arbresh.info

Në prononcimin e tij kryeministri shpjegoi se tashmë me renovimet e bëra, mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, falë kamerave që mundësojnë përcjelljen e operimeve në kohë reale.

“Në sallën e operimit pamë që tek ndriçimi ekzistojnë edhe kamerat, që do të thotë se operimi mund të përcjellët në kohë reale edhe nga ndonjë konzolium i mjekëve, i kirurgëve që ndodhet jashtë Qendrës Klinike Universitare, në këtë mënyrë mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, ashtu si janë ndriçimi i këndshëm e profesional me kamerën e cila e përcjellë në kohë reale operimin e pacientit apo të aksidentuarit”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ndër të tjera, shtoi se pacientët në Klinikën Emergjente do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim, sepse i kemi mjekët e infermierët të përkushtuar bashkë me kushtet e dinjitetshme dhe moderne të punës.

“Ky investim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është një lloj mirënjohje e jona për profesionalizmin dhe për devotshmërinë e këtij stafi ndër shumë e shumë vite në kushte në të cilat kanë qenë kundër tyre e jo në shërbim të tyre”, përfundoi kryeministri, duke falënderuar personelin shëndetësor.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se këto investime dhe procese jemi duke i kaluar jo vetëm në QKUK, por edhe me investime edhe në spitalet regjionale, edhe me përzgjedhjen e mjekut familjar që tash po bëhet në mjekësinë primare, edhe me ngritjen e buxhetit për barna edhe në primare edhe në sekondar e terciare, si dhe në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore.

Prononcimi i kryeministrit Kurti:

Jemi këtu në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare ku erdhëm të vizitojmë bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputetin Haxhi Avdyli, që të dy doktorë po ashtu, që e njohin mirë këtë klinikë, por këtë klinikë e njohin edhe shumë qytetarë të cilët ose vetë ose të afërmit e tyre, janë detyruar me raste të sëmundjeve akute apo të aksidenteve të ndryshme të vijnë në mënyrë urgjente, por sot duket që nuk është e mundshme të njihet kjo Klinikë për shkak të transformimit rrënjësor që ka përjetuar së brendshmi.

Të gjithë e dimë se për mjekët që shërojnë dhe për pacientët që kërkojnë shërim, shumë më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe shërimit përbrenda sesa dukja e jashtme dhe pikërisht në këtë po investojmë me rreth 800 mijë euro në Klinikën Emergjente me ç’rast i falënderohem operatorit ekonomik i cili një punë që është dashur të kryhet për diç më pak se 5 muaj e ka kryer për vetëm tre muaj. Kemi triazhimin, hapësirën për triazhim, kemi riorganizim të sportelit, kemi nyje sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritjet e numrit të shtretërve nga 20 në 25.

Më herët, mjekët dhe infermierët që kanë qenë në Klinikën Emergjente nuk është dashur të përballen vetëm me rastet urgjente të sëmundjes ose të aksidenteve, të gjakderdhjeve dhe të minutave të fundit të jetës së njeriut që nuk dihet nëse do të shpëtojë ose jo, por është dashur të përballen edhe me kushtet e vështira të punës, është dashur të përballen edhe me vështirësitë e mëdha për ta shpëtuar pacientin.

Ndërkaq, tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre pra, kur të kaloni në këto dhoma, në këto salla të operimit, në këto vendqëndrime për pacientët, të aksidentuarit, ju e kuptoni që gjithçka është në funksion të punës së mjekut e të infermierit për shërimin apo edhe shpëtimin e pacientëve. Dhe ky është një lajm shumë i mirë për shtetin tonë, është lajm shumë i mirë për të gjithë pacientët.

Me shaka biseduam me doktorët këtu që kushtet e mira nuk janë kurrfarë ftese për të ardhur këtu, sado që ne i kemi rregulluar kushtet ne shpresojmë që gjithnjë e më pak njerëz do të kenë nevojë të vijnë këtu, mirëpo nëse janë të detyruar të vijnë këtu, atëherë do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim sepse i kemi mjekët e infermierët të përkushtuar dhe i kemi kushtet e tyre edhe të dinjitetshme edhe moderne të punës.

Në sallën e operimit pamë që tek ndriçimi ekzistojnë edhe kamerat, që do të thotë se operimi mund të përcjellët në kohë reale edhe nga ndonjë konzolium i mjekëve, i kirurgëve që ndodhet jashtë Qendrës Klinike Universitare, në këtë mënyrë mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, ashtu siç janë ndriçimi i këndshëm e profesional me kamerën e cila e përcjellë në kohë reale operimin e pacientit apo të aksidentuarit.

Unë falënderoj të gjithë për kontributin dhe angazhimin e madh që bëjnë përditë dhe le të kuptohet që ky investim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, më konkretisht në Klinikën Emergjente, e cila do të ketë së shpejti në këtë dekadë, për pak vjet, edhe vendin e posaçëm që do të ndërtohet këtu përbrenda QKUK-s, është një lloj mirënjohje e jona për profesionalizmin dhe për devotshmërinë e këtij stafi ndër shumë e shumë vite në kushte në të cilat kanë qenë kundër tyre e jo në shërbim të tyre. Andaj faleminderit shumë për gjithë punën dhe angazhimin edhe kontributin shumëvjeçar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme