Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shkruar letër Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell Fontelles, të cilin i ka informuar për objektivat dhe qëllimet e Qeverisë së re, raporton arbresh.info.
Ndër tjerash Kurti në këtë letër, përveçse ka njoftuar Borrellin për programin qeverisës, i ka bërë të ditur se taksa ndaj produkteve serbe do të hiqet në mënyrë të pjesshme më 15 mars.
Më poshtë mund të gjeni letrën e kryeministrit drejtuar Nënkryetarit të Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles:
Presidentes së KE-së, dhe Përfaqësuesit të BE-së:
“Shkëlqesisë së Tij, Josep Borrell Fontelles,
Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Nënkryetar i Komisionit Evropian
I nderuari z. Borrell,
Po ju shkruaj për t’ju informuar për objektivat dhe qëllimet e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi që të ritheksojmë shpresën tonë për thellimin të bashkëpunimit dhe integrim të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës në përpjekjet tona për vendosje të sundimit të ligjit, zhvillimit të ekonomisë dhe qeverisjes së mirë. Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të BE-së dhe besojmë se marrëdhënia jonë me BE-në është e bazuar në vlerat e përbashkëta që i kemi.
Programi qeverisës i qeverisë sime është i ndërtuar në dy shtylla kryesore. Fokusi ynë primar është në zhvillimin ekonomik; përmes rritjes së investimeve ne do të krijojmë vende të reja pune, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Për më tepër, jemi zotuar në mënyrë të pakompromis në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto dy prioritete të ndërlidhura të qeverisë sime përfaqësojnë vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës. Ato janë edhe kritere të rëndësishme të cilat duhet t’i plotësojmë gjersa vazhdojmë në rrugën tonë drejt integrimit evropian. E çmojmë mbështetjen e Bashkimit Evropian në arritjen e progresit drejt realizimit të këtyre qëllimeve.
Ne e kuptojmë nevojën e zgjidhjes së çështjeve të mbetura politike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Jemi të zotuar ndaj procesit të dialogut dhe besojmë se është e vetmja mënyrë për arritjen e marrëveshjes, qëllimi përfundimtar i të cilës duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve. Negociatat duhet të vazhdojnë. Ato duhet të jenë të përgatitura mirë si dhe të bazuara në parime. Arritja e një marrëveshje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon.
Në përputhje me këtë zotim, duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë të heqim tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u vendosën nga qeveria e kaluar. Fillimisht ne do t’i heqim tarifat mbi lëndën e parë. Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për rifillimin e dialogut me Serbinë. Shpresojmë që Serbia t’i përgjigjet në mënyrë reciproke këtij vendimi; në këmbim të kësaj presim që Serbia t’i heqë të gjitha barrierat e mbetura jotarifore për tregti me Kosovën, si dhe t’i jap fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës. Ftojmë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të krijojnë mekanizma monitorimi dhe sanksionimi për të siguruar që të dy palët t’i respektojnë zotimet e tyre në marrëveshjet ekzistuese dhe në ato të ardhshme.
Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme ka pasur mungesë koordinimi midis përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në lidhje me rolet e tyre individuale dhe qëllimet në dialogun me Serbinë. Kjo krijoi mungesë të qartësisë institucionale dhe asaj politike. Qeveria ime zotohet t’i jap fund kësaj. Si Kryeministër, unë kam mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marr përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Mezi pres të punoj së bashku me ju dhe me përfaqësuesit e BE-së për t’i çuar më tej interesat tona të përbashkëta dhe për ta çuar përpara këtë proces.
Qeveria ime dhe unë si Kryeministri i saj jemi të palëkundur në bindjen tonë se e ardhmja më e ndritur për vendin tonë është integrimi i plotë në BE. Mezi presim të thellojmë partneritetin tonë dhe të bashkëpunojmë ngushtë me BE-në në çdo nivel, veçanërisht në avancimin e dialogut Kosovë-Serbi drejt një marrëveshjeje e cila sjell paqe të qëndrueshme për rajonin, zhvillim ekonomik për vendin tonë dhe liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.”, ka shkruar Kurti./arbresh.info/