Google ADS

Kurti njofton Komisionin Evropian për tarifën ndaj Serbisë dhe programin qeverisës

16:26 | 4 Mars 2020
Arbresh Info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shkruar letër Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilën e ka informuar për objektivat dhe qëllimet e Qeverisë së re, raporton arbresh.info.

Më poshtë mund të gjeni letrën e kryeministrit drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen:

“Shkëlqesia e saj, Ursula von der Leyen

Presidente e Komisionit Evropian

E nderuar Shkëlqesia juaj,

Siç edhe jeni në dijeni, në muajin shkurt të këtij viti qeveria ime ka marr detyrën në Republikën e Kosovës. Po ju shkruaj me qëllim që të ju informojmë në lidhje me objektivat dhe qëllimet e qeverisë tonë të re. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi që të riafirmojmë shpresën tonë për thellimin të bashkëpunimit dhe integrim të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës në përpjekjet tona për vendosje të sundimit të ligjit, zhvillimit të ekonomisë dhe qeverisjes së mirë. Ju jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të BE-së dhe besojmë se marrëdhënia jonë me BE-në është e bazuar në vlerat e përbashkëta.

Programi qeverisës i qeverisë sime është i ndërtuar në dy shtylla kryesore. Fokusi ynë primar është në zhvillimin ekonomik; përmes rritjes së investimeve ne do të krijojmë vende të reja pune, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Për më tepër, jemi të pakommpromis në përkushtushtimin tonë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto dy prioritete ndërlidhura me njëra tjetrën të qeverisë sime përfaqësojnë vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës. Ato janë edhe kritere të rëndësishme të cilat duhet t`i plotësojmë në rrugën tonë drejt integrimit Evropian. E çmojmë mbështetjen e Bashkimit Evropian në arritjen e progresit drejt realizimit të këtyre qëllimeve.

Ne e kuptojmë nevojën e zgjidhjes së çështjeve të mbetura politike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Jemi të zotuar ndaj procesit të dialogut dhe besojmë se është e vetmja mënyrë për arritjen e marrëveshjes, qëllimi përfundimtar i të cilës duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve. Negociatat duhet të vazhdojnë. Ato duhet të jenë të përgatitura mirë si dhe të bazuara në parime. Arritja e një marrëveshje politike mes dy shteteve tona do të jetë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE dhe si mjet për arritjen e paqes afatgjate dhe stabilitetit në rajon

 

Në përputhje me këtë zotim, duke filluar nga 15 marsi, do të fillojmë të heqim tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që u vendosën nga qeveria e kaluar. Fillimisht do t’a heqim tarifën në importet e lëndës së parë. Kjo është shenjë e vullnetit të mirë diplomatik dhe e angazhimit tonë për të punuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se ky vendim do të hasë në vendim reciprok nga Serbia; ne presim që Serbia t’i heqë të gjitha barrierat e mbetura jo-tarifore për tregti me Kosovën si dhe t’i japë fund fushatës së saj të çnjohjeve kundër Kosovës.

Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme ka pasur mungesë koordinimi midis përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në lidhje me rolet e tyre individuale dhe qëllimet e kërkuara në dialogun me Serbinë. Kjo krijoi mungesë të qartësisë institucionale dhe asaj politike. Qeveria ime zotohet t’i jap fund kësaj. Si Kryeministër, unë kam mandatin ekskluziv kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore të marr përgjegjësinë për përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Mezi pres të punoj së bashku me ju dhe me diplomatët tuaj për t’i çuar më tej interesat tona të përbashkëta dhe për ta çuar përpara këtë proces.

Qeveria ime dhe unë si Kryeministri i saj jemi të palëkundur në bindjen tonë se e ardhmja më e ndritur për vendin tonë është integrimi i plotë në BE. Ne mbetemi të bindur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte përfitues jo vetëm për këtë rajon, por edhe për vet BE-në. Mezi presim të punojmë ngushtë së bashku për të thelluar partneritetin tonë, rritjen e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, dhe për çështjet e tjera të interesit të përbashkët.”, ka shkruar Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme