Google ADS

Kurti: Një çerek shekulli pas luftës Republika jonë qëndron e fortë

08:47 | 17 Shkurt 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Ditën e Pavarësisë së vendit ka thënë se përvjetor të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, e të cilat sipas tij rëndom nuk ka kohë të bëhen gjatë ditëve të tjera të vitit.

“Nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku nga po shkojmë, këto janë pyetjet të cilat i shtrojmë secili veç e veç dhe bashkërisht. Përgjigjet tona në këto pyetje nuk është e thënë të pajtohen me njëra – tjetrën. Kjo në fakt nuk do të ishte një shenjë e mirë për një shoqëri të lirë e demokratike. Prandaj, ato që do të ofrojë në vijim le të trajtohen si një përgjigjet e njërit prej jush pa çka se sot jam i veshur me petkun e kryeministrit të Kosovës, përkatësisht të kryeshërbëtorit tuaj”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e qeverisë me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Ai tutje ka thënë se ‘ne vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter antikolonial që rrënjët i ka te Rilindja Kombëtare Shqiptare”.

“Prejardhja e Republikës sonë është te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Për sa kohë Republika e Kosovës të jetë shembull i ngrohtësisë njerëzore dhe lirive qytetare, ajo e nderon trashëgimin e Rilindjes Kombëtare, si një lëvizje shprangosëse që nuk luftojë vetëm për lirinë e shqiptarëve, por edhe të gjithë të tjerëve që bashkëjetuan dhe bashkëjetojnë me shqiptarët”, ka shtuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se populli i Kosovës i mbijetoi gjenocidit të fundit të shekullit 20, por pas luftës shkatërruese të viteve 1998 dhe 1999 u rindërtuan shtëpitë.

“Me mbështetje nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët – Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale dhe solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenar sepse përkundër sfidave shteti ynë po zhvillohet. Mbi vullnetin politik të popullit të saj Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm”, ka nënvizuar Kurti.

Komunikata e plotë:

Sivjet shënojmë edhe dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i  Serbisë. Përvjetorë të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit, kur jemi shumë të zënë me urgjencat e përditshme me të cilat duhet të ballafaqohemi.

Nga kemi ardhur? Ku jemi? Dhe nga po shkojmë? Këto janë pyetje që në këto raste i shtrojmë secili veç e veç por edhe bashkërisht. Përgjigjet tona në këto pyetje nuk është e thënë të pajtohen me njëra-tjetrën. Në fakt, kjo nuk do të kishte qenë shenjë e mirë për një shoqëri të lirë e demokratike.

Andaj, ato që do të ofroj në vijim le të trajtohen si përgjigjet e njërit prej jush, paçka se sot jam i veshur me petkun e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të  Kryeshërbëtorit tuaj.

Ne vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter anti-kolonial që rrënjët i ka te Rilindja Kombëtare Shqiptare. Prejardhja e Republikës sonë, është te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Për sa kohë Republika e Kosovës të jetë shembull i mbrothësisë njerëzore dhe lirive qytetare, ajo e nderon trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare, si një lëvizje shprangosëse që nuk luftoi vetëm për lirinë e shqiptarëve, por edhe të të gjithë të tjerëve që bashkëjetuan e bashkëjetojnë me shqiptarët.

Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit të 20-të. Pas luftës shkatërruese të viteve 1998-99 ne rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror.

Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë, sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet. Mbi vullnetin politik të popullit të saj, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm. Ashtu sikurse ditën kur u shpall, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do  të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. 

Andaj, sot ne festojmë, e urojmë e përgëzojmë, jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët e të tjerët.

Andaj, urime të gjithëve pavarësia e Republikës së Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët.

Në lidhje me atë se ku jemi sot, përgjigjen rezultatet pozitive, qofshin ato reformat tona të brendshme, në sundimin e ligjit dhe progresin ekonomik e shoqëror, apo në suksesin e liberalizimit të vizave. Këto konfirmojnë se Kosova po bën hapat e drejtë në rrugën e duhur drejt së ardhmes së saj evropiane.

Do të thosha që integrimet euroatlantike janë sepse duhet të jenë ylli ynë polar, në rrugën nga po shkojmë. Për barazi mes popujve e të rajonit e të kontinentit tonë, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin e secilën. Vizioni ynë është i qartë: ne rreshtohemi me kombet paqësore e demokratike që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin. Kjo është arsyeja pse ne kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. 

I nderuar kabinet Qeveritar,

Sot është ditë feste, por çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet dhe programin tonë të përbashkët, duke ruajtur kujtesën mes brezave e duke kultivuar vazhdimësinë historike dhe institucionale. Të angazhohemi e përkushtohemi përditë, duke marrë shembuj e forcë nga paraardhësit tanë, ata e ato që punuan e sakrifikuan shumë për liri, për ditë të mira sikur kjo, e duke u frymëzuar nga brezat e rinj të lirisë.

Të dashur qytetarë,

Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, edhe përkujtojmë secilën jetë njerëzore të dhënë, gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi, për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për të. Përkujtimi është i anasjelltë, sepse ne me rininë dhe popullsinë tonë ecim përpara, por njëkohësisht duke përkujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre që duhet mirëmbajtur dhe rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë. Lavdia e tyre është e përjetshme e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm.

U jemi falënderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues.

Me lumturinë e kësaj dite plot diell e dritë, me shpresë në zemra për të ardhmen edhe më të ndritshme: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës!

Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë! Ne i dalim zot!

Ju falemnderit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme