Google ADS

Kurti ngushëllon familjen Krasniqi: Kosovës ia rriti dy djem që ranë dëshmorë, nderime e mirënjohje për nënë Shehide

18:03 | 30 Dhjetor 2024
E.H

Me rastin e vdekjes së Shehide Selimi -Krasniqi, nënës së dy dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar për ngushëllime familjen Krasniqi në fshatin Çabiq të Klinës.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se çdo nënë dëshmori është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë ndërsa ka shprehur nderime dhe mirënjohje për nënën Shehide, përcjell Arbresh.info

“Ajo vetë mbante emër me kuptimin “dëshmore”, kurse Kosovës ia rriti dy djem që ranë dëshmorë. Shehide Selimi – Krasniqi e cila vdiq dje, ishte nëna e dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi. Për nderim të nënës Shehide Selimi – Krasniqi, isha për ngushëllime në Çabiq të Klinës. Çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë. Bijë e familjes Selimi nga Aqareva, Shehideja ia dha dy djem dëshmorë lirisë së Kosovës, Mujën dhe Aliun, duke e përlartësuar përkushtimin patriotik ndaj atdheut, përcjellë ndër breza nga familje me edukim të këtillë, si familja e bacit Halil dhe nënës Shehide”, ka shkruar Kurti.

“Kujtimet për nënën Shehide do t’iu bashkohen kujtimeve për Mujë dhe Ali Krasniqin. Ngushëllime familjeve Selimi dhe Krasniqi, nderime dhe mirënjohje për nënën Shehide”, shkroi Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme