Google ADS

Kurti nga Tirana bën thirrje për “pranverë shqiptare”

22:24 | 4 Shkurt 2019
Arbresh.info

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, të hënën nga Tirana ka bërë thirrje për një “pranverë shqiptare”, pasi sipas tij shqiptarët gjenden në një udhëkryq edhe kohor edhe hapësinor.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Kosova duhet t’i thotë po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë.

Kurti i ka konsideruar takimet e Edi Ramës në Prishtinë si takimet konjekturale që nuk i shërbejnë kombit, ndërkohë që, sipas tij, Rama ka zgjedhur aleancat e gabuara në Prishtinë. Këto komente ai i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me pedagogë e studentë të fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës të cilët kanë nisur të hënën zyrtarisht grevën, një vendim ky i marrë në datën 1 shkurt pas takimit pa marrëveshje me Ministren e Arsimit Besa Shahini. Prania në Fakultetin e Shkencave Sociale të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti ka përplasur në debat Dekanin e këtij Fakulteti Edmond Rapti me studentët, pasi sipas dekanit Rapti, Albin Kurti nuk kishte marrë asnjë lloj kontakti me drejtuesit e Fakultetit.

Për praninë e Albin Kurtit, një përfaqësues i studentëve pati këtë sqarim: “E kanë ftuar studentët. Kanë ardhur 30 ligjërues, të gjithë të ftuar nga studentët. Nuk ka pse ta ftojë Dekani. Ne nuk kemi ftuar njeri me letra zyrtare dhe vula. Jemi studentë të fakultetit, nuk kemi vulë. Të gjithë ligjëruesit kështu kanë ardhur”.

Kurti, i pranishëm në Fakultetin e Shkencave Sociale me ftesë të studentëve, as nuk i pranoi por as nuk i mohoi lajmet në media se Vetëvendosja qëndron pas protestës studentore në Tiranë, raporton Koha Ditore.

“Protestat studentore kanë filluar vitin e kaluar dhe unë jam këtu me shumë vonesë. Protestat studentore në Shqipëri në këtë dimër i cili nuk po kalon janë ngjarja më e bukur shoqërore dhe zhvillimi më autentik politik në shumë vitet e fundit këtu”, tha ai.

I pyetur nëse shkuarja e tij aty mund të konsiderohet si ndërhyrje e politikës, Kurti nuk hezitoi aspak që të pohojë një gjë të tillë.

“Unë tërë jetën ndërhyj dhe prandaj jam në politikë. Politika është ndërhyrje subjektive në bazë të asaj që beson të jetë e drejtë dhe e mendon të jetë e vërtetë. Protestat studentore në Tiranë janë ngjarja më e bukur shoqërore. Këta duhen admiruar. Vështirësitë nëpër të cilat po kalojnë do t’i kalisin ata në kapërcimin e pengesave në të ardhmen. Një lloj degradimi i skenës politike në Shqipëri dhe Kosovë është rezultat i rezistencës popullore, posaçërisht asaj studentore që po dëshmon që kthim pas nuk ka. Nuk mund të kthehemi në vjeshtën e 2018-ës. Kanë rënë skemat politike, jemi kthyer në skenën politike, ku nën dritat e reflektorëve qytetarë po shihet se mbretërit apo princat janë lakuriq”, tha Kurti.

Ai më tej ka thënë se Kosova duhet t’i thotë po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë. Duke folur nga Tirana, Kurti tha se eksponentë të caktuar duan të ndotin fjalën “bashkim” duke sajuar skema se për një bashkim të tillë duhet t’i jepet territor Serbisë.

“Ne themi po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet të na rrisë dhe jo të na fragmentarizojë, ndajë, copëtojë dhe të na zvogëlojë. Duan ta ndotin fjalën bashkim duke e sajuar skemën sipas së cilës për t’u bashkuar me Shqipërinë duhet t’i japim tokë Serbisë. Ne i themi jo. Nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, Serbia na ka shumë borxh ne. Na e ka borxh edhe Kosovën lindore, Preshevën, Bujanocin, por edhe shumë borxh për shkak se para 20 viteve vrau 10 mijë shqiptarë civilë, dhunoi 20 mijë gra dhe vajza shqiptare, depërtoi jashtë Kosovës 860 mijë shqiptarë në pranverën 1999, i dëboi nga shtëpitë e tyre mbi një milion shqiptarë, na plaçkiti depozitat bankare, fondin pensional, artefaktet kulturore, nuk na njeh pavarësinë dhe tani t’i bëjmë koncesione të reja shtetit që udhëhiqet nga çetnikët e Millosheviçit. Presidenti Aleksandër Vuçiç kur unë protestoja në fund të ’90 ishte Ministër i Informatave të Millosheviçit. Me çetnikët nuk duhet të bëjmë pazar me trojet tona kombëtare. Po bashkimit kombëtar, jo pazareve me Serbinë”, deklaroi ai.

I pyetur se cili do të jetë aksioni politik i Vetëvendosjes nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimin e VV për ligjin e dialogut me Serbinë, Kurti u shpreh: “Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të ardhshme që po spostohen në kohë pikërisht për shkak se dihet rezultati i tyre. Kur PDK i fitonte zgjedhjet organizoheshin shumë shpesh tani që duket që i fiton VV po rrënojnë dhe mekanizmin e procesit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nuk është funksional meqenëse Presidenti nuk thërret anëtarët të bëjnë betimin. Do angazhohemi brenda dhe jashtë Kuvendit që sa më parë të kemi zgjedhje. Ndërkaq dialogu me Serbinë është antikombëtar, antidemokratik dhe tërësisht jo legjitim”, tha ai në Tiranë.

Lideri i Vetëvendosjes është pyetur nga gazetarët në Tiranë edhe mbi darkën e mbrëmjes të së dieles mes liderëve të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe takimit të së hënës Thaçi-Haradinaj. Kurti tha se nuk është në dijeni pasi ndodhet në Tiranë prej mbrëmjes së diele, por shtoi se ka ardhur koha për një “pranverë shqiptare”.

“Kam ardhur dje (e diel) në Tiranë dhe nuk i kam ndjekur këto takime. Takimet konjekturale nuk do të mundin të na rritin shumë shpresat për të mirat e përgjithshme. Mendoj se edhe në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të fillojmë të mendojmë dhe të përgatitemi për një ‘pranverë shqiptare’. Në kushtet kur ekonomikisht jemi dobët dhe ushtritë i kemi pothuajse inekzistente, ndodhemi në një udhëkryq edhe kohor dhe hapësinor edhe si Ballkan edhe në vitin 2019 është e domosdoshme që populli shqiptar të shfaqet dhe të demokratizojë veten në mbrojtje të detyrës së tij kombëtare për bashkim dhe interesit të tij shtetëror për integrim europian”, u përgjigj Kurti.

Ndërkohë, Kurti tha se Rama ka zgjedhur aleancat e gabuara në Prishtinë.

“Unë nuk mendoj që kryeministri i Shqipërisë është pro ndarjes së Kosovës. Por unë mendoj se ai ka zgjedhur për miq dhe bashkëpunëtorë në Kosovë njerëz të papërshtatshëm të cilët përfitojnë për vete dhe nuk e kanë në fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës”, deklaroi Albin Kurti. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar nga Tirana edhe emërimin e Gent Cakaj si Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Ai tha se në Kosovë dhe Shqipëri ka pafund njerëz më të përgatitur dhe më patriot që meritojnë të jenë në krye të diplomacisë shqiptare.

Edhe pse Ministrja e re e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, njihet si person që ka qenë pranë Vetëvendosjes, e pranishme në shumë tryeza të saj si eksperte, Albin Kurti kur u pyet të hënën në Tiranë për qëndrimin e saj në raport me protestën e studentëve pati këtë koment:“Nuk kam koment për atë. Sjellja e saj flet më shumë se çdo gjë”.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, thotë se Kosova dhe Shqipëria do të gjejnë qetësinë kur politikanët e tyre përfaqësues të dalin nga shtresa e mesme.

“E vetmja zgjidhje për mirëmbajtjen e demokracisë është politikani që vjen nga klasa e mesme. Nuk jam kundër biznesmenëve që hyjnë në politikë por jam kundër që politikanët të bëhen biznesmenë. Politikanët ndërshqiptarë janë bërë njerëzit më të pasur. Politika nuk është biznes, është përfaqësim dhe shërbim. Ministër nga latinishtja do të thotë shërbëtor, kryeministër do të thotë kryeshërbëtor. Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, politikanët t’i kemi nga klasa e mesme. Politika është shërbim, jo sundim dhe jo pasurim”, ka deklaruar ai.

Ndaj deklaratave të Albin Kurtit ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste, ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila ka thënë se është zhgënjyer.

“S’i besova syve kur pashë Albin Kurtin sot brenda pengmarrjes së mjediseve universitare, pa ia dëgjuar ndonjëherë mendjen për ligjin e Arsimit të Lartë në Shqipëri! Pa lidhje me vullnetet reale për të përmirësuar pasojat e gjëmave që ka njohur bota universitare në 25 vjet të shkuar e që nisëm t’i pastrojmë në 2015-ën së pari duke çrrënjosur qelqet e gjembat e Vitrinave bashke me part-time-et që mbytën të papunët me diploma që s’i duhen kujt! Po fare pa lidhje! Çfarë zhgënjimi i madh ta shohësh aq të tjetërsuar njeriun që ke vlerësuar”, ka shkruar Kumbaro në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme