Google ADS

Kurti: Nga sot Presidenti kaloi në ilegalitet, do ta çojmë në Kushtetuese

20:44 | 22 Prill 2020
Arbresh.info

Në konferencën e thirrur për media, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për takimin e sotëm të presidentit Thaçi me krerët e partive parlamentare.

Ai thotë se me takimin e sotëm Presidenti kaloi në ilegalitet dhe do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, raporton portali arbresh.info.

“Pas thirrjes për moszbatim të qeverisë, kjo e sotmja është përpjekja më e egër e Presidentit për të shthurur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet ta zhvlerësojë me një dekret ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Presidenti sot doli në ilegalitet, andaj formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë mundësi ia dhanë krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët braktisën çdo fjalë të dhënë ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh. Kështu mu mes të pandemisë  u organizuan dhe u bashkuan kundër sigurisë publike qeverisë legjitime duke bërë mocionin e mosbesimit në Kuvend. Presidenti i Kosovës vazhdon të thirret në dispozitat e Kushtetueses, por veprimet e tij që qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetueses dhe aktgjykimin kushtetues që ai e përmend tregon se nuk i kanë lexuar me kujdes e mbase as nuk i kanë kuptuar siç duket. Nuk është në kompetencën të Presidentit të Republikës të Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e rendit shtetëror”, u shpreh Kurti në konferencën e jashtëzakonshme për media./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme