Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në përurimin e investimeve në Shkollën Fillore dhe të Mesme e Ulët, “Metush Krasniqi” në Roganë të Komunës së Kamenicës.
Investimet e bëra prej mbi 1 milion euro në hapësirën e brendshme të shkollës, në pjesën e jashtme si dhe në inventor, siç deklaroi kryeministri Kurti, do të krijojnë kushte të shkëlqyera për 197 nxënësit, si dhe stafin prej 39 punonjësve arsimorë dhe profesionalë.
“Me vlerë prej mbi 1 milion euro, ky projekt përfshinë përmirësime të thella në hapësirat e brendshme, në vlerë prej 850 mijë euro dhe 165 mijë euro për pjesën e jashtme të shkollës, si dhe 36 mijë euro për inventarin e ri për mësim cilësor”, njoftoi kryeministri Kurti.
Tutje shtoi më tej ai, MAShTI dhe Komuna e Kamenicës do të ndërtojnë në këtë komunë edhe dy çerdhe të reja, përfshirë një në Roganë dhe tjetra në Koretinë në vlerë prej 741 mijë euro, e cila është duke u ndërtuar dhe pritet të hyjë në funksion shumë shpejt.
Pas prerjes së shiritit dhe përfundimit të fjalës, kryeministri Kurti pa nga afër ambientet e brendshme, ekspozitën me punimet e nxënësve të shkollës të prezantuara në hollin e kësaj shkolle si dhe kabinetet ku ndoqi performancën e nxënësve.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se të jemi sot bashkë këtu, është kënaqësi po aq sa edhe përgjegjësi; kënaqësi, sepse po përurojmë objektin e ri të shkollës “Metush Krasniqi” dhe përgjegjësi, sepse si Qeveri dhe Ministri mundohemi që të kryejmë më së miri detyrën tonë duke qenë pranë jush dhe krijuar kushte për arsim cilësor.
Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se fokus i kësaj komune do të mbetet arsimi, prandaj edhe investimi në këtë shkollë ka qenë i domosdoshëm.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Jam i nderuar dhe i gëzuar që ndodhem sot këtu bashkë me juve në Roganë, në këtë institucion arsimor që mban emrin e veprimtarit të jashtëzakonshëm Metush Krasniqi dhe ju faleminderit për këtë mikpritje kaq të përzemërt.
Mirë se ju gjej në këtë ditë të veçantë, në përurimin e rinovimit të tërësishëm të Shkollës Fillore, të Mesme të Ulët, “Metush Krasniqi”. Kjo shkollë me traditë të gjatë, për 79 vite ka shërbyer si vatër e dijes për breza të tërë fëmijësh të kësaj ane. Teksa po bëhemi gati të hymë në dekadën e nëntë, kjo shkollë do të vazhdojë të jetë qendër e edukimit dhe zhvillimit të brezave të rinj nga Rogana, Novosella, lagja e Muhaxherëve, Kranidelli i Poshtëm e lagjet përreth.
Sikurse në Parkun Teknologjik në Kamenicë, që u përurua gjithashtu sot paradite, rinovimi që po e përurojmë sot është investim i rëndësishëm për të ardhmen e Kamenicës.
Me vlerë prej 1 milion euro, ky projekt përfshinë përmirësime të thella në hapësirat e brendshme në vlerë prej 850 mijë euro, pastaj afër 165 mijë euro për pjesën e jashtme të shkollës, si dhe 36 mijë euro për inventarin e ri për mësim cilësor.
Këto përmirësime do të krijojnë kushte të shkëlqyera për 197 nxënësit e shkollës, si dhe stafin e përkushtuar prej 39 punonjësve arsimorë dhe profesionalë, me ç ‘rast mësova se janë 28 mësimdhënës, por gjithashtu ka edhe staf mbështetës, sikurse psikologe e logopedë dhe asistente për fëmijë me nevoja të veçanta, duke ofruar kësisoj një mjedis më të sigurt, më modern dhe më frymëzues për të mësuar.
Nga ky vit shkollor, nxënësit do të kenë kushtet optimale për t’i zhvilluar aftësitë e shkathtësitë, për të marrë njohuri dhe vlera, të cilat do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tyre.
Mirënjohje për Komunën e Kamenicës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për përkushtimin e tyre. MAShTI dhe Komuna e Kamenicës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, siç e tha kryetari edhe për ndërtimin e çerdhes këtu në Roganë, përderisa çerdhja në Koretinë, në vlerë prej 741 mijë euro, është duke u ndërtuar dhe pritet të hyjë në funksion shumë shpejt. Me këto dy çerdheve, do të krijohen më shumë mundësi për edukimin në fëmijërinë e hershme, që është tejet i rëndësishëm për edukimin e mëvonshëm dhe për jetën e mirë të gjithsecilit fëmijë si qytetar i Republikës sonë të dashur.
I falënderojmë të gjithë ata, të cilët kanë kontribuar në këtë projekt të rëndësishëm për fëmijët, në rrugën e dijes dhe zhvillimit të tyre për ta e për shoqërinë tonë.
Ju falemnderit dhe e gëzofshi!
“Komorani dhe Tirana”, Vullneti ngacmon Drilonin për Sarën
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...