Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim senatorët e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët arritën sot për vizitë në Kosovë.
Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe për kontributin e pakursyer për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Ai i falënderoi tre senatorët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për çështjet e Kosovës dhe i njoftoi me progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare.
Kryeministri Kurti u shpreh krenar për rezultatet dhe të arriturat gjatë kësaj periudhe: rritjen e buxhetit shtetëror në 2.9 miliardë euro, që është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova, rritjen për 10 për qind të investimeve kapitale, rritjen e investimeve në agrokulturë, dhe rritjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Synimi ynë mbetet integrimi në Bashkimin Evropian e sidomos përfshirja sa më e shpejtë e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, tha kryeministri Kurti.
Lidhur me politikën e jashtme ai veçoi angazhimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërsa duke folur për një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë ai ritheksoi se marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
Senatorja Shaheen tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për atë që ndodhë në dhe rreth Kosovës, dhe se do të vazhdojnë të mbështesin aspiratat për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Tre senatorët falënderuan qeverinë dhe popullin e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë, duke e vlerësuar si një veprim shumë të çmuar që ka forcuar edhe më tej miqësinë dhe raportet e mira mes të dy vendeve.
Kryeministri Kurti tha se ndihma e ofruar për refugjatët afganë përtej humanitares është edhe shprehje falënderimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mikun dhe partnerin e pazëvendësueshëm të Republikës së Kosovës.
Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë, kryeministri dhe senatorët theksuan rrezikun që mund të paraqes për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i njoftoi senatorët për mikpritjen tashmë të një gazetare ukrainase dhe për gazetarët e tjerë që pritet të vijnë në Kosovë, për të vazhduar të lirë angazhimin e tyre në profesion.
Ai theksoi rreshtimin e Kosovës krahas vendeve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërinë për të strehuar 5000 refugjatë nga Ukraina./arbresh.info/
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...