Kurti në takim Presidentin e Këshillit Evropian, shprehu shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave

17:12 | 15 Qershor 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati takim tête à tête me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili të mërkurën për herë të parë erdhi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Kryeministri Kurti duke i shprehur mirëseardhje e falënderoi Presidentin Michel për gjithë përkrahjen që ka dhënë Bashkimi Evropian për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Kjo përkrahje e ka kthyer Kosovën në një rrëfim suksesi dhe shprese, si prijëse në indeksin demokratik të Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri Kurti.

Ai e përgëzoi Michel për rizgjedhjen në mandatin e tij të dytë në pozitën e Presidentit të Këshillit Evropian dhe i uroi suksese në këto kohë shumë të rëndësishme dhe sfiduese për të gjithë.

Biseduan për të arriturat dhe sfidat në më shumë se një vit qeverisje dhe kryeministri Kurti tha se stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike ka ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021 dhe po për 17 vende në indeksin e “World Press Freedom” për liri të shprehjes dhe të mediave.

Ndërkaq, sa i përket sundimit të ligjit është radhitur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksin e vitit 2021 të “World Justice Project”, dhe është vendi i vetëm në rajon që ka shënuar përmirësim në raportin e Fredoom House.

Ky stabilitet ka sjellë edhe rritjen e indikatorëve ekonomikë, tha kryeministri dhe përmendi rritjen ekonomike prej 10,53 për qind, ngritjen e eksporteve për mbi 83 për qind, ndërsa të investimeve të huaja direkte rreth 22 për qind. Po ashtu janë rritur për 30 për qind të hyrat tatimore, të hyrat doganore për 31 për qind, ndërkohë që ekonomisë i janë shtuar 25,000 vende pune.

Kryeministri Kurti theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në Bashkimin Evropian dhe e njoftoi Presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet dhe është e përkushtuar për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Duke e njohur rolin e rëndësishëm që ka Presidenti Michel në koordinimin e konkluzioneve të samiteve të Këshillit Evropian, kryeministri shprehu shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin për bashkëpunim rajonal që në themel e ka njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe që me mekanizmat e pavarur mund të jetë njëkohësisht hap drejt Tregut të Përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe në përputhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Në Kosovë është dëshmuar se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës dhe që të dyja janë thelbësore për paqen e qëndrueshme dhe për progresin dhe mirëqenien sociale”, shtoi ai.

Lidhur me dialogun me Serbinë në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se aty zgjidhja e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është posaçërisht e rëndësishme./arbresh.info/

Të ngjashme