Kurti në takim me ambasadorët: Po të ishte në dorën e Kosovës, do të fillonte zbatimi i marrëveshjes

13:49 | 30 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it.

Me anë të një postimi në platformën “X”, Kurti tha se gjatë takimit, i ka informuar lidhur me zhvillimet e dialogut, shkruan Arbresh.info.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Sot u takova me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë për t’iu ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme. Fillova duke i shprehur mirënjohjen BE-së dhe SHBA-së për përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.”, shkroi ai.

Shefi i qeverisë shtoi se Serbia po vazhdon ta refuzojë Marrëveshjen Themelore.

Po ashtu, Kurti iu ka theksuar ambasadorëve se po të ishte në dorën e Kosovës, marrëveshja tashmë do të nënshkruhej dhe do të fillonte zbatimi i saj.

“Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur një marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova është ende e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon të refuzojë.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

 

Të ngjashme