Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

14:40 | 25 Prill 2022
S D

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në zyrë bashkë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipin ambasadorët e vendeve të QUINT-it së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në këtë takim, sipas Zyrës së Kryeministrit u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

Në njoftimin e ZKM-së gjithashtu thuhet se rreshtimi i Kosovës me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe ka qenë i menjëhershëm karshi pushtimit rus në Ukrainë.

“Në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon. Dy muaj pas fillimit të invazionit dhe agresionit të paprovokuar ushtarak rus ndaj Ukrainës, nevoja për bashkërendim të qëndrimeve dhe të veprimeve të botës demokratike kundrejt Federatës Ruse mbetet e domosdoshme. Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe ka qenë i menjëhershëm. Përveç sanksioneve të vendosura ndaj Federatës Ruse, në linjë me ato të BE-së dhe ShBA-ve, Kosova po ashtu është solidarizuar me popullin ukrainas duke shprehur gatishmërinë e saj që të mirëpres deri në 5000 refugjatë nga Ukraina teksa gazetarja e parë ukrainase nga 20 sosh që do t’i pranojë Kosova tashmë ka arritur në Prishtinë.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në këtë takim u fole dhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa në komunikatë thuhet se qeveria e Kosovës është e angazhuar të jetë parimor dhe i balancuar, por nuk u dhanë më shumë detaje.

“Gjatë takimit, u fol edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për çka Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar që të jetë parimor dhe i balancuar për marrëveshje me njohjen reciproke në qendër. ​”, thuhet në komunikatë.

Në takim të pranishëm ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, i ngarkuari me punë në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Webber, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadori i Italisë, Antonello De Riu dhe Përfaqësuesi i Posaçëm dhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme