Në përmbyllje të qëndrimit dyditor në Strasburg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një organizim të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, u mirëprit e bashkëbisedoi me mërgatën tonë në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë e Luksemburg.
Ai prezantoi para tyre punën dhe arritjet e Qeverisë, që javën tjetër mbush dy vite nga formimi i saj, dhe qasjen e Qeverisë për mërgatën, e cila ruan një vend të veçantë dhe gëzon vëmendjen e plotë nga qeveria.
‘Këtë, e kemi reflektuar edhe përmes programeve të “Dialogut me Mërgatën” dhe ai i ‘’Diplomacisë Qytetare’’, tek puna për komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore i cili po merret me realizimin e suksesshëm të votimit nga jashtë vendit, e ligjit dhe strategjisë për angazhimin e mërgatës”, tha Kurti.
Kurti përmendi dhe krijimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.
“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë € 4.54 miliardë si remitenca dhe € 1.54 miliardë si investime të huaja direkte. Por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit. Atë e shohim dhe si një burim shumë të rëndësishëm të dijes dhe përvojës për Kosovën, e cila mund të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve e të organizatave”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit, përcjell arbresh.info.
“Përvoja dhe njohuritë që mërgata i sjell në atdhe, janë një burim jashtëzakonshëm i pasurisë dhe mund të ndihmojnë në ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë”, u shpreh tutje Kurti.
“Gjatë këtyre dy viteve, si Qeveri kemi shtuar dyert për bashkëpunim me mërgatën. Një shembull i tillë është bashkëpunimi në sektorin e arsimit dual me Fondacionin Besa me bazë në Gjermani, apo partneriteti me Shoqatën e Inxhinierëve në Zvicër me Ministrinë e Ekonomisë. E Dyert tona të bashkëpunimit mbeten gjithmonë të hapura për mërgatën dhe e admirojmë vullnetin e tyre për të bërë gjithmonë më shumë”, tha ai.
Në fund, Kurti i falënderoi për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij.
Shkencëtarët në Peru zbulojnë një fosil krokodili 12 milionë...
Arrestohet një person në Prishtinë, kërkohej për vrasje në t...
Kështu e festojnë 28 nëntorin mërgimtaret në Gjermani
Sekretari Blinken uron Shqipërinë
Anulohet samiti i liderëve të rajonit dhe BE-së në Bosnje, d...
FSK bënë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz