Sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut është mbajtur samiti me liderët e Ballkanit Perëndimorë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
Në fokus të diskutimeve ishte Plani i Ri i Rritjes Ekonomike, i miratuar nga Komisioni Evropian vetëm tre muaj më parë, përcjell Arbresh.info.
Në samit, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili pas takimit në një konferencë për media tha se ka mirëpritur Planin e Rritjes teksa theksoi se ky plan e përshpejton anëtarësimin në BE.
Mes tjerash, Kurti tha se Qeveria e Kosovës do të dorëzoj një listë të reformave për Planin e Rritjes tek BE, teksa tregon se kjo listë synon reformimin e mëtutjeshëm të administratës publike dhe avancimin e menaxhimit të financave publike
Po ashtu, i pari i ekzekutivit kosovar shtoi se beson së anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera, transmeton Arbresh.info.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën për media pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimorë rreth Planit të Rritjes:
Sot jemi në Shkup në formatin e Ballkanit Perëndimor Gjashtë me ftesën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
Plani i Rritjes synon që të na ofrojë neve, Ballkanit Perëndimor Gjashtë, me Bashkimin Evropian për integrim e anëtarësim aty nëpërmjet përfitimeve të Tregut Unik para anëtarësimit.
Ne kemi mirëpritur këtë plan pasi nuk na e ngadalëson anëtarësimin por e përshpejton atë duke e rritur shpejtësinë e reformave dhe konvergjencën mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Pra, nëse Procesi i Berlinit konsistonte në Tregun e Përbashkët Rajonal, Plani i Rritjes konsiston në qasjen dhe pjesëmarrjen në Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
Me nivelin aktual të rritjes ekonomike, produkti bruto i brendshëm mesatar për banorë në fuqinë blerëse në Ballkanin Perëndimor qëndron diku ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së Bashkimit Evropian. Plan i rritjes së bashku me Tregun e Përbashkët Rajonal mund ta shtojë edhe 10% rritjen ekonomike. Kjo do të arrihet bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian si dhe kushtëzuar me respektim e zbatim të vlerave të Bashkimit Evropian. Pjesë e Planit të Rritjes është Tregu i Përbashkët Rajonal, në kuadër pra të Procesit të Berlinit, i cili synon heqjen e barrierave në katër liritë; lirisë së njerëzve, mallrave, shërbimit dhe kapitalit.
Të gjithë e mbajmë mend se si para 10 viteve ish Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pat deklaruar që gjatë mandatit të tij 5 vjeçar nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian dhe nga kjo mungesë e ndjenjës së urgjencës për zgjerim të Bashkimit Evropian pat lindur si përgjigje Procesi i Berlinit. Ndërkaq, një dekadë më vonë, tani në përmbyllje të këtij mandati të Presidentes aktuale të Komisionit Evropian, zonjës Ursula von der Leyen, ne e kemi Planin e Rritjes i cili do të sjellë mbështetje financiare 6 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe me ç’rast mbështetja financiare varet nga puna dhe performanca veç e veç, ku nëse shtetet në procesin e Berlinit arrijnë diçka pozitive, ajo automatikisht bartet edhe tek Plani i Rritjes. Ndërkaq, nëse shtetet te Procesi i Berlinit pengojnë njëra-tjetrën, kjo nuk ka efekt tek Plani i Rritjes sepse në bazë të këtij plani që është ideuar nga zonja presidente von der Leyen, shtetet mund ta bllokojnë vetëm vetveten, por jo njëra-tjetrën.
Ne sot si Qeveri e Republikës së Kosovës, do të dorëzojmë një listë të reformave për Planin e Rritjes tek Bashkimi Evropian. Kjo listë synon reformimin e mëtutjeshëm të administratës publike dhe avancimin e menaxhimit të financave publike. I kushton rëndësi të veçantë agjendës së gjelbër dhe digjitalizimit, zhvillimit të sektorit privat, investimeve dhe eksporteve, si dhe forcimit të të drejtave themelore.
Gjithashtu po përgatisim një listë indikative të projekteve që synojnë mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik që do të financohet përmes Fondit të Reformës dhe Rritjes, duke përshpejtuar kësisoj rritjen dhe konvergjencën në Bashkimin Evropian.
Siç e kemi dëshmuar në tre vitet e fundit me përmirësimin e treguesve demokratikë dhe ekonomikë, Kosova është shumë e gatshme përveç se e interesuar për reforma.
Ne besojmë së anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera. Ky Plan i Rritjes nuk është vetëm një mundësi për reforma, por edhe shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Prandaj, ne duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona. E që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë.
Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit të njerëzve dhe mallrave kërkon edhe besim edhe njohje reciproke mes shteteve, pra vendeve, institucioneve dhe njerëzve.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në thelb një zgjedhje. Ka shtete dhe popuj të cilët përcaktohen që të mos anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Por anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i shtetit tonë, i institucioneve të sistemit, por gjithashtu edhe i popullsisë së vendit tonë me një mbështetje e cila sillet diku tek 94% sipas të gjitha matjeve të opinionit publik që bëhen rregullisht ndër shumë vite.
E në një demokraci liberale pushteti i qeverisjes është i kufizuar siç dihet nga sundimi i ligjit, ndërkaq liria e të drejtat e individëve mbrohen nga kushtetuta. Prandaj përcaktimi për Bashkimin Evropian njëkohësisht përfaqëson edhe zgjedhje strategjike të udhëheqjes së një vendi, zgjedhje tashmë e bërë nga Republika e Kosovës.
Detyra jonë është që të realizojmë reformat dhe të përmbushim kushtet, kurse e Bashkimit Evropian është që të vlerësojë mbi bazën e meritave dhe të kujdeset për t’i ruajtur vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Unë ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe tash unë këtu jam me këshilltarët e mi nga Kryeministria, me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, si dhe me ambasadorin tonë të Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e tij, Florian Qehaja, dhe do të mund të ju përgjigjemi pyetjeve tuaja.
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...