Google ADS

Kurti në Samitin e Bledit në Slloveni: Këtë vit parashikojmë rritje prej 6.9 për qind të ekonomisë

18:31 | 1 Shtator 2021
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Slloveni gjatë një vizite zyrtare ku po merr pjesë në panelin e liderëve në Bled Strategic Forum, për të ardhmen e Evropës dhe zgjerimin,  në të cilin po marrin pjesë edhe pesë kryeministrat tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Kurti në këtë Samit tha se Kosova këtë vit planifikon të rrisë ekonominë për 6. 9 për qind, shkruan arbresh.info.

Sipas Kurtit, Kosova ka institucione të qëndrueshme, marrë parasysh që tri institucionet kryesore udhëhiqen nga VV dhe Lista Guxo, që kanë hyrë në zgjedhje me listë të përbashkët.

“Kandidatët kryesor në listën tonë drejtojnë institucionet kryesore, presidentja, kryeparlamentari dhe unë si kryeministër Parashikojmë një rritje prej 6. 9 për qind të ekonomisë për këtë vit”, u shpreh Kurti.

Ai tha se Kosova është e interesuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-së sa më shpejt që është e mundur.

“Ne asnjëherë nuk diskutojmë për BE-në apo NATO-n, duam të bëhemi anëtarë sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të punojmë fort për këtë. Besojmë që BE-ja duhet mbrojtur, përkrahur dhe për këtë qëllim duhet të kryejmë si reforma në vendet tona, por në të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së.”, u shpreh Kurti, shkruan arbresh.info.

Ai po ashtu pohoi se në sistemin vendimmarrës të BE-së duhet të ketë një sërë reformash.

“Zgjerimi i jashtëm i BE-së dhe reformat e brendshme në vendin tonë shkojnë krahë për krahë. Besoj gjithashtu se duhet të ketë një sërë reformash në sistemin vendimmarrës të BE-së. Hapa të guximshëm do ta bëjnë më të mundur që këto gjëra të bëhen në të ardhmen e afërt. Kemi pritur 2 mijë refugjatë afganë në Kosovë. Jemi vendi varfër, por besojmë që kur bëhet fjalë për cështjet humanitare nuk duhet të pyesim pse, por vetëm të themi si”, u shpreh Kurti.

Ai foli edhe për partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-të), duke përmendur edhe strehimin e rreth 2,000 refugjatëve afganë në Kosovë.

“Partneriteti ynë më SHBA-të është shumë i rëndësishëm dhe shumë i fort. Unë besoj se përfshirja e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në BE do të ketë dy përfitime të mëdha për të dyja opalët. Së pari kufiri i jashtëm i BE-së do zvogëlohet në mijëra e mijëra kilometra, sepse gjashtëshja së Ballkanit Perëndimor nuk është fqinje me BE-në, ne rrethohemi nga BE-ja, Pra, kufiri i jashtëm i BE-së në pikëpamjen e sigurisë do të bëhet më i vogël e në këtë mënyrë do jetë më mirë për të dyja palët”, u shpreh Kurti në Samitin e Bekldit në Slloveni.

Përveç kësaj, sipas tij, një në tre qytetarë të gjatë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk banon në këto gjashtë vende, përgjithësisht ata jetojnë në BE.

“Pra, në vende kryesisht perëndimore. Kështu që me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, kombet tona e diaspora jonë do të jetojnë në të njëjtën hapësirë dhe kjo do të jetë shumë mirë për ekonominë.
Kurti tha se në Kosovë mbi 20 për qind e produktit të brendshëm bruto përbëhet nga dërgesat e diasporës, që sipas tij, përbëjnë një pjesë të madhe të kërkesës së fuqisë blerëse.

Ndryshe, në këtë Samit po marrin pjesë gjashtë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev. /arbresh.info/

Të ngjashme