Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës, në nderim të të gjithë të vrarëve në Masakrën e Mejës, 24 vjet më parë.
Kryeministri Kurti shprehu dhimbjen dhe pikëllimin por edhe mirënjohjen e tij të thellë me nënat, motrat, baballarët, vëllezërit, fëmijët, gjyshërit, gjyshet e atyre të cilët u vranë në këtë masakër.
“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri tha se në mesin e të vrarëve në Meje janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë, pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, pa dallim gjinie, pa dallim prejardhjeje, pa dallim feje. Ju këtu, tha ndër të tjera kryeministri, i shihni varret bashkë të myslimaneve e të katolikëve vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë.
Më tej, kryeministri shtoi se shqiptarët ishin bashkë edhe në luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhembje si martirë e dëshmorë të kombit tonë.
Ne nuk e trajtojmë këtë si një çështje historie, por si një çështje të jetës sonë të këputur, megjithëse të gjithë këta të rinj e të reja, fëmijë të vrarë, sot do të kishin familjet e tyre, sot do të vazhdonin jetën dhe do ta gëzonin lirinë, e cila i ka rrënjët në gjakun edhe në sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit, theksoi Kryeministri.
Duke theksuar angazhimin e Qeverisë për drejtësi dhe për të vërtetën, Kryeministri veçoi vendimin e Qeverisë për aderim në Komisionin ndërkombëtar për personat e Zhdukur (ICMP), që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare ne të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve.
Në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda, me 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar tashmë, është ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës dhe do të ketë 41 hetues, bëri të ditur Kryeministri.
Gjithashtu përmendi shtimin e buxhetit edhe për Prokurorinë, duke i shtuar edhe 4 prokurorë, 6 bashkëpunëtorë profesionistë dhe dy përkthyes për rastet e krimeve të luftës dhe 50 pozita të reja edhe për përgjithësi Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Kryeministri Kurti shoqërohej nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrat Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari dhe Arbërie Nagavci, deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë./Arbresh.info/
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit