Kurti në Mejë: Lufta për luftën e Kosovës s’ka përfunduar më 1999, luftojmë kundër propagandës së Serbisë

19:25 | 27 Prill 2024
R J

Në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani Sadriu dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vendosën buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë. 

Kosova po shënon Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës, në kujtim të tyre, masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti në fillim të fjalës.

Në historinë e luftës së Kosovës, kryeministri theksoi se masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja. “Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë”, u shpreh ai.

Teksa risolli në kujtesë ngjarjen e dhimbshme të Mejes, ai tha se sot do të donte që nga aty, nga Meja, ku 25 vite më parë është kryer masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, të flas edhe për një luftë tjetër, një luftë të papërfunduar: luftën për luftën e Kosovës.

”Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohoj krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara” u shpreh kryeministri.

Ai foli për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës. Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, kryeministri theksoi se Republika e Kosovës lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri tha se ashtu siç e kemi fituar luftën në vitin 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore.

Fjalë mbajtën edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Agim Gashi nga Kryqi i Kuq, Ahmet Graiqevci nga Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Sundim Krasniqi nga Shoqata ”27 prilli 1999 Mejë.”

Sot, në përkujtim të kësaj dite, u bënë homazhe edhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti (pa ndërhyrje)

Në hyrje të memorialit, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. U përkulëm para përmendores së dhembjes së nënës. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës suaj.

Të nderuar të pranishëm, sivjet po mbushen 25 vite nga pranvera e vitit 1999, kur lufta në Kosovë e arriti kulmin e saj, para se të përfundonte në qershorin e atij viti, me epilog çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese. Pranvera e vitit 1999 ishte stinë e vrasjeve, masakrave dhe krimeve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, të urdhëruara e kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës në kuadër të projektit të tyre gjenocidal për shfarosjen e popullit tonë. Andaj për ne, pranvera është stinë e përkujtimeve.

Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të tyre, masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës.

Në historinë e luftës së Kosovës, masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja. Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë.

Njoftimet dhe dëshmitë e para për masakrën e Mejes, u evidentuan që të nesërmen nga hulumtuesit e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch. Në mëngjesin e 28 prillit 1999, ata i regjistruan rrëfimet e para për këtë masakër nga refugjatët e dëbuar nga fshatrat e Gjakovës, që të traumatizuar dhe pa gjysmën e familjarëve të tyre e kaluan pikën kufitare në Morinë të hipur nëpër traktorë me rimorkio. Refugjatët rrëfyen për grupe të vrarësh dhe pirgje me kufoma në fshatin Meje.

Gjashtë javë më pas, më 15 qershor 1999, kur hulumtuesit e Human Rights Watch e vizituan Mejen, pra një muaj e gjysmë pas masakrës, ata hasën në disa trupa të pajetë, rreth të cilëve gjetën dokumente gjysmë të djegura dhe shumë gëzhoja plumbash. Dhjetë ditë më pas, më 25 qershor, hulumtuesit e Human Rights Watch e vizituan sërish fshatin Meje, ku i intervistuan edhe 20 dëshmitarë.  Por ato ishin vetëm një pjesë e vogël e rrëfimeve dhe e numrit të viktimave të masakrës së Mejes që nuk dihej plotësisht.  

Ju e keni të freskët kujtimin e mëngjesit të 27 prillit të vitit 1999, kur forca ushtarake dhe policore të Serbisë dëbuan me forcë shqiptarët dhe më pas dogjën shtëpitë në Pacaj, Nivokaz, Dobroq, Sheremet, Jahoc, Ponoshec, Racaj, Ramoc, Madanaj dhe lagjen Orize të Gjakovës. Të dëbuarit i orientuan drejt fshatit Meje, ndërsa në kolona u plaçkitën paratë dhe stolitë me vlerë. U përzgjodhën dhe u ndalën burrat dhe djemtë e rinj, kurse gratë i detyruan të vazhdonin rrugën drejt kufirit me Shqipërinë. Të gjithë ata që u ndaluan, u grumbulluan në grupe në Meje dhe u ekzekutuan me armë automatike. Ata ishin të paktën 376 persona.

Këtu nisi faza e dytë e kësaj masakre, që ishte fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit. Në ditët në vijim, të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre, u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer,  në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.

Strategjinë e përpjekjes për fshehjen e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, bota do ta kuptonte gjatë procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë.

Aty, prokurorët ndërkombëtarë të rastit, do ta përballnin ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Obrad Stevanoviq me bllokun e tij të shënimeve, ku krahas fjalës “President” që i referohej Millosheviqit, ai kishte shkruar në  serbisht “Nuk ka kufomë, nuk ka krim” (“Nema leša, nema zločina”). Kjo ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e kufomave me qëllim të fshehjes së krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Dhe kjo strategji ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot të jetë aktive.

Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë e sot politikanë drejtues të shtetit të Serbisë, refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare. E ne vazhdojmë të kërkojmë 1597 të zhdukur nga lufta e fundit.

Andaj sot më 27 prill 2024, do të doja që nga këtu,  nga Meja, ku 25 vite më parë është kryer masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, të flas edhe për një luftë tjetër, një luftë të papërfunduar: luftën për luftën e Kosovës!

Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohoj krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. 

Dhe këtu e kam fjalën për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës. Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, Republika e Kosovës lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë.

Republika e Kosovës jonë është e vendosur të ngadhënjejë, sepse ne as nuk harrojmë e as nuk falim. Të gjitha provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare, nga hulumtues të botës akademike apo të pavarur, bashkë me prova dhe dëshmi të pambledhura deri më tash, po mbledhen dhe do të vazhdojnë të mbledhen nga institucionet e Republikës së Kosovës, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive; për narracione të vërteta dhe të sakta; për muzeun e gjenocidit dhe luftës për liri; për strategjinë shtetërore për drejtësi tranzicionale; për drejtësinë e munguar dhe aq të nevojshme për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës; për historinë dhe trashëgiminë tonë.

Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, kemi zhvilluar bazën ligjore, dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të këtyre. Kemi ndarë mjete për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe pozita të reja në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Madje që në vitin 2019. Gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi, sepse këto krime veçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë.

Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejes dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës.

Me strukturën e re të miratuar në Policinë e vendit tonë, nga sektori e kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues, pra kemi rritur më shumë se 100 për qind numrin e hetuesve. Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Tani kemi një adresë pra për të dërguar të gjitha dëshmitë.

Ashtu siç e kemi fituar luftën në vitin 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore.

Ne ecim përpara në rrugën drejtësisë dhe barazisë, pa e harruar të kaluarën tonë, sepse nga ajo vijmë e duke nderuar sakrificën që na mundësoi ta jetojmë lirinë e ta gëzojmë shtetin dhe të ecim bashkë drejt të ardhmes së ndritshme.

Të përhershme do të mbeten përkuljet me nderime dhe përkujtimet me humanizëm para viktimave të masakrës së Mejes dhe të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë të Kosovës për lirinë e saj! Lavdi dëshmorëve e martirëve, lavdi Mejës. Ju falemnderit!    

 

Të ngjashme