Google ADS

Kurti: Në Lojërat Olimpike në Paris, gati secili sportist i yni ka arritur ta thyej së paku një rekord për veti

23:37 | 6 Gusht 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mori sonte pjesë dhe mbajti fjalimin kryesor në pritjen shtetërore të organizuar për nder të kampionëve dhe ekipit tonë olimpik të cilët kanë përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024.

“Të nderuar të pranishëm që keni ardhur këtu, me gëzim dhe krenari të mirëprisni ekipin tonë olimpik. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ne emër të gjithë qytetarëve tanë, kam nderin t’ju përgëzoj për sukseset tuaja dhe t’ju uroj mirëseardhje për kthimin me plotë krenari në shtëpinë tuaj. Për pjesën e ekipit e cila ndodhet ende në Paris, ju presim krahëhapur në Kosovën tuaj të dashur”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se dikur dukej imagjinare ta mendosh se Kosova triumfon para shteteve – që janë fuqi botërore, por tani ky fakt është bërë realitet bindës, të cilin të gjithë ne po e gëzojmë.

“Ky vend të cilin ju e bëtë krenarë, do të mbajë gjithmonë të hapur rrugën tuaj për të shkuar sa më lehtë e sa më shpejt drejt sukseseve të tjera, drejt sukseseve të reja”, deklaroi ai.

Ai tha se në këto Lojërat Olimpike në Paris, gati se – secili sportist i yni ka arritur ta thyej së paku një rekord për veti.

  •  Distria është sportistja jonë e parë që arrin të ketë dy medalje olimpike, një të artë dhe një të argjendtë;
  • Nora: sportistja e parë e Kosovës që shënon pjesëmarrje të trefishtë në Lojëra Olimpike, në Rio, në Tokio dhe në Paris;
  • Laura: xhudistja jonë e parë – medaliste në Lojërat Olimpike që nuk është nga qyteti i Pejës, por është nga Mitrovica. Andaj, Peja nuk është vetëm ujë dhe bjeshkë, por edhe shkollë siprore për xhudistët tanë.
  • Loriana Kuka, me krenari shënoi përmbylljen e karrierës së saj sportive si xhudiste elitare;
  • Akili, të cilit i mungoi fati që të fitoi medalje por mbetet sportisti i parë që arrin TOP 5-shen Olimpike në konkurrencën e meshkujve
  • Rekordi i boksierës tonë të hekurt, Donjetës: Sportistja e parë jo xhudiste që merr pjesë në lojëra olimpike dhe atë me normë olimpike;
  • Rekordi i talentes 15 vjeçare, Hanës: sportistja më e re që e ka përfaqësuar Kosovën ndonjëherë në Lojëra Olimpike;”, u shpreh ai.

Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti edhe trajneri Driton Kuka, i cili tha se është nder dhe kënaqësi që po ju shoh këtu pasi është hera e tretë me radhë nga tri lojëra olimpike po kthehemi me medalje.

Pritja shtetërore u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe u mbajt në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë, ku përveç përfaqësuesve shtetërorë, kishin dalë për të pritur kampionët olimpikë edhe qytetarë të shumtë./Arbresh.info/

Të ngjashme