Kurti në Kroaci flet për sulmin në Iber-Lepenc: Një akt i orkestruar nga Serbia

12:15 | 13 Dhjetor 2024
E.K

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me nderime të larta shtetërore. Të dy kryeministrat zhvilluan një takim të përbashkët, gjatë të cilit nënshkruan disa marrëveshje.

Pasi përfunduan takimin, ata mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku Kurti theksoi se ” Kosova e sheh Kroacin si një partner kyç” dhe se do të rriten kapacitetet dhe do të shkëmbehen nevojat mes dy vendeve.

Në këtë kuadër, kryeministri Kurti përmendi sulmin e fundit në kanalin Iber-Lepenc, duke theksuar se ky sulm ka pasur si shënjestër popullatën civile. Ai shtoi se janë arrestuar disa persona që po mbahen në burg, ndërsa janë konfiskuar shumë armë, municione dhe emblema ruse. Kryeministri Kurti theksoi se një sulm i tillë nuk mund të ketë ardhur nga qytetarët e zakonshëm, por është një veprim i orkestruar nga Serbia, e cila nuk e ka më kontrollin mbi Kosovën dhe mbështet sulme të tilla.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se Beogradi nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara dhe kërkoi që Brukseli të ushtrojë presion mbi Beogradin për të zbatuar marrëveshjet. Ai theksoi se Kosova është një shtet i normalizuar, me rritje të konsiderueshme ekonomike dhe progres demokratik./Arbresh.info

Të ngjashme